E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet me probleme, 19 rastet kur ndërhyn Inspektorati i Ndërtimit

Nis një verifikim në të gjithë bregdetin për ndërtimet pa leje dhe me probleme. Inspektorati i Ndërtimit ka pavarësi të plotë veprimi. Ja kompetencat e ndërhyrjes

Erald Kapri

Ministria e Transporteve ka njoftuar zyrtarisht nisjen e një verifikimi të gjerë, kryesisht në bregdetin shqiptar, mbi ndërtimet që janë bërë, por edhe që po zhvillohen në këtë zonë. Fillimisht u konstatuan 67 ndërtime me probleme në Velipojë, por verifikimet po vazhdojnë në të gjithë Rivierën shqiptare dhe pritet që të mos kursehen fadromat në rast se konstatohen ndërtime pa leje apo shkelje në projekt. Inspektorati i Ndërtimi Qendror, por edhe degët lokale, kanë një pavarësi të plotë veprimi në rast se këto struktura vërejnë shkelje. Duket se ligji, por edhe udhëzimi i brendshëm, nuk kanë asnjë hapësirë për ndërtimet informale apo ndërtimet që kanë shkelur rregullat. Ministria ka premtuar një ndërhyrje të gjerë, veçanërisht në bregdet, por nuk përjashton edhe zonat e tjera. Në kryeqytet ka pasur disa raste të prishjeve të ndërtimeve informale, të cilat nuk përfshiheshin nga ligji i legalizimit. Në rast se pronarët e ndërtimeve preken nga fadromat e Inspektoratit, vetëm gjykata do të këtë mundësi që t’i japë të drejtën, pasi hapësira ligjore e Inspektoratit e lejon atë që të ketë një pavarësi të plotë në veprim.
Ndërhyrja
Në fillim të vitit ka hyrë në fuqi një vendim i qeverisë, i cili përcakton të gjithë procedurën e ndërhyrjes së strukturave të Inspektoratit të Ndërtimit. Kryeinspektorët apo inspektorët kanë të drejtë të hyjnë e të ushtrojnë kontroll në mjediset ku kryhet ndërtimi si dhe të kanë të drejtë të kërkojnë zbatimin e objektit në terren, sipas lejes së ndërtimit të dhënë nga organi i autorizuar i qeverisjes vendore. Inspektorët, krahas kontrollit, kanë edhe të drejtë të veprojnë për prishjen e objektit, rikonstruksionin e objektit, riparimin e objektit, infrastrukturën, tokësore e nëntokësore, si dhe prishjen e objekteve që paraqesin rrezik shembjeje, me pasoja për jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Shkeljet
Udhëzimi për Inspektoratin e Ndërtimit ka përcaktuar shkeljet e mundshme. Shkeljet përmbajnë që nga ndotja e mjedisit e deri te ndërtimi i volumeve të tepërta, në lartësi ose në gjerësi të objektit, shtesë kati ose shtesë anësore si dhe ndryshime të përmasave në gjatësi, gjerësi, lartësi më të mëdha ose më të vogla se ato të miratuara. Kryeinspektori ose inspektori i Inspektoratit Ndërtimor, pas kontrollit në objekt, mban procesverbalin, ku pasqyrohen gjendja aktuale, mangësitë dhe detyrat për subjektin ndërtues. Inspektorati ndërtimor e urbanistik vendor, brenda 10 ditëve nga dita e njoftimit të subjektit ndërtues nxjerr vendimin përkatës. Kur gjatë ushtrimit të kontrollit në objekt inspektori i inspektoratit vëren shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, ai merr vendimin përkatës, pas kalimit të afatit 10-ditor, të parashikuar në legjislacionin në fuqi. Vendimi për pezullimin e punimeve në ndërtim merret në rastin kur është i nevojshëm një afat kohor paraprak për marrjen e vendimit për përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e ndërtimit dhe të urbanistikës, si dhe marrjen e vendimit për prishjen e objektit. Gjatë periudhës 10-ditore të vendimit të pezullimit të punimeve në ndërtim, subjekti ndërtues është i detyruar të ndërpresë punimet në objekt dhe inspektori vendor përkatës është përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi. Një vendim i tillë merret kur në objekt nuk ka masa sigurie, si dhe kur nuk respektohet dosja e dokumentacionit teknik dhe ligjor.

Rastet kur përbën shkelje
1- Ndërtimi i volumeve të tepërta, në lartësi ose në gjerësi të objektit, shtesë kati ose shtesë anësore;
2- ndryshime të përmasave në gjatësi, gjerësi, lartësi më të mëdha ose më të vogla se ato të miratuara;
3- ndryshime në arkitekturën e fasadës së objektit, krahasuar me projektin e miratuar;
4- rrethimi i objektit nuk është bërë sipas plan-organizimit të miratuar;
5- mosrespektimin e kuotave të lartësisë së kateve me ato të miratuara;
6- mungesat e masave të sigurimit teknik të objektit dhe të mbrojtjes së jetës së njerëzve;
7- ndotjen e mjedisit nga ndërtimi i objektit.
Rastet e verifikimeve
1- Emërtimin e objektit sipas lejes së ndërtimit;
2- lejen e ndërtimit;
3- emrin e projektuesit;
4- emrin e inxhinierit mbikëqyrës të punimeve në objekt;
5- datën e fillimit dhe të mbarimit të punimeve në objekt;
6- planimetrinë e sheshit të ndërtimit të objektit, në lidhje me objektet përreth;
7- pamjen tridimensionale të objektit.
Dosja e dokumentacionit teknik e ligjor
1- Lejen e ndërtimit, së bashku me vendimet e KRRT-së;
2- projektin teknik të zbatimit të objektit, i konfirmuar nga drejtoria e urbanistikës;
3- studimin gjeologjik dhe atë sizmik;
4- lejen mjedisore, të miratuar nga agjencia e mjedisit;
5- miratimin e ndryshimeve në projekt, në rastet kur ka të tilla;
6- licencimin e pjesëmarrësve në ndërtim;
7- aktin e piketimit të objektit;
8- aktkontrollin e kuotës 0,00, në përfundim të kësaj faze;
9- verifikimin e të gjitha punimeve të kryera deri në ditën e kontrollit, në përputhje me projektin e miratuar;
10- dokumentacionin e ndërtimit, në raport me ligjin e trashëgimisë kulturore, arkeologjike, turistike;
11- mbajtjen e librit të masave të objektit;
12- verifikimin e procesverbaleve të punimeve të maskuara;
13- certifikatat e cilësisë së materialeve të përdorura, si hekuri, betoni;
14- aktin e kontrollit të përfundimit të karabinasë së objektit, në përfundim të kësaj faze;
15- aktin e kolaudimit të fazës së përfundimit të punimeve të karabinasë;
16- masat e sigurimit teknik të punimeve të ndërtimit dhe pajisjen me mjete për mbrojtjen e jetës së punëtorëve;
17- zbatimin e planit të organizimit të punimeve në objekt;
18- masat teknike të ruajtjes së objekteve përreth;
19- aktet e inspektimit, të kryera gjatë zbatimit të objektit;

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›