Bello anti-Tibetian, pro kinez
Komiteti Kombëtar Olimpik Shqiptar shprehu kundërshtimin e tij në lidhje me përpjekjet për të politizuar dhe bojkotuar Lojërat Olimpike të Pekinit, duke besuar se Lojërat do të kenë një sukses të madh. “Ne mbështesim fuqimisht Lojërat Olimpike të Pekinit dhe kundërshtojmë çdo përpjekje për të lidhur ngjarjen sportive me çështjen e Tibetit”, - i deklaroi Stavri Bello, sekretari i përgjithshëm i Komiteti Kombëtar Olimpik Shqiptar, ambasadorit kinez në Shqipëri, Vang Junling. Bello tha se Shqipëria ka vendosur tashmë edhe zyrtarët qeveritarë që do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së lojërave dhe atletët do të marrin pjesë në kompeticionet sportive. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, raporton agjencia kineze e lajmeve, Hxinua, e ka bërë tashmë publike se do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimlike të Pekinit. “Lojërat Olimpike të gushtit janë një ngjarje sportive që nuk i përkasin vetëm Kinës, por të gjithë botës”, - tha Bello, duke shtuar se suksesi i lojërave nuk do të influencohet nga disa ngjarje negative. “Në përgatitje e sipër të Lojërave, Kina ka rritur vëmendjen ndërkombëtare. Është e natyrshme që do të ketë disa zhurma gjatë procesit, por ato nuk mund të ndikojnë”, - citohet Bello nga agjencia kineze e lajmeve.
“Calciopoli”’ portugez, Porto ne qender te hetimeve
Skandali për fiksimin e ndeshjeve të futbollit shpërthen edhe në Portugali. Drejtësia sportive portugeze aktualisht po heton në lidhje me disa ndeshje të sezonit 2003/2004 dhe Porto është klubi që është vënë në qendër të këtij skandali. Gjigantët portugezë, që në atë periudhë drejtoheshin nga Hoze Murinjo, rrezikojnë zbritjen në kategorinë e dytë të Superligës Portugezë në rast se të gjitha hetimet që po kryhen vërtetojnë te gjitha dyshimet qe janë ngritur për këtë klub. Ndërkohë drejtuesit e klubit janë informuar në lidhje me këto hetime që po zhvillohen dhe kjo konfirmohet edhe nga një komunikatë për shtyp që lexohet në faqen zyrtare të Portos. Për momentin hetimet e drejtësisë sportive janë përqendruar në dy ndeshje, Porto –Estreia e përfunduar me rezultatin 2-0 dhe Porto-Beira Mar e mbyllur me rezultatin e barabarte 0-0. Kjo çështje po monitorohet prej 4 vjetësh në Portugali si nga drejtësia sportive ashtu dhe nga Federata Portugeze e Futbollit.
Alonso, “mbreti” i parave
Fernando Alonso është piloti më i paguar në botën e Formula 1. Është ky lajmi që botohet tek revista gjermane ‘Auto, Motor und Sport’. Sipas kësaj reviste Alonso merr një pagë prej 14.5 milionë euro në vit, gati 5 herë më shumë se ish-shoku i tij i skuadrës tek Meklaren, Ljuis Hamilton. Në vendin e dytë në këtë klasifikim renditet kampioni i Botës në fuqi, Kimi Raikkonen. Piloti finlandez i Ferrarit paguhet me një pagë prej 14 milionë euro në vit. Ajo që bën cudinë në këtë aspekt është paga e pilotit të Hondas, Xhensen Batën. Britaniku paguhet nga skuderia japoneze me 10 milionë euro në sezon edhe pse ka fituar vetëm një Cmim të Madh në 8 sezone të Formula 1. Piloti i Meklaren Ljuis Hamilton edhe pse konsiderohet si pretendenti kryesor për të fituar titullin këtë sezon është ndër pilotët më pak të paguar në këtë cirkuit. Britaniku nuk merr më shumë se 3 milionë euro në vit, dyfishi i asaj që paguhet shoku i tij i skuadrës, Heiki Kovalajnen që paguhet me 1.5 milionë euro. Një tjetër pilot që merr një pagë relativisht të vogël është edhe Nelsinjo Pike që merr më pak se 1 milionë euro në sezon.
Renditja botërore, diktat anglez
Skuadra e Celsit ruajti vendin e parë në renditjen botërore të klubeve të publikuar nga federate botërore e statistikave dhe historisë në futboll. Menjëherë pas londinezëve janë kampionët e Premier Ligës, Mancester Junaitid të cilët kompletojnë hegjemoninë angleze me 3 ekipe të klasifikuara në 5 më të mirat e botës. Për bazë në këtë renditje është marrë paraqitja e skuadrave nga prilli i 2007 deri në fundin e marsit të këtij viti ku skuadra e Abramovic ka koleksionuar më shumë pikë se rivalët. Me 274 pikë pas krahëve të Celsit ndodhen ‘Djajtë e kuq’ të skocezit Ferguson të cilët kanë rrëmbyer vendin e parë pas rezultateve të dobëta të Milanit. Për kampionët e botës një rënie që pritej edhe pse kanë ruajtur pak nga shkëlqimi i tyre që prej finales së Jokohamës. E katërta në renditje skuadra spanjolle e Sevijës me 260 pikë dhe që vetëm pak muaj më parë kryesonte bindshëm këtë klasifikim të IFFH-së. Për të parë një tjetër ekip prestigjioz si Real Madrid duhet zbritur në vendin e 29-të ndërsa skuadra më e mirë e muajit të sapombyllur është shpallur River Pleit.
2 Prill 2008