Pango: “Statutin nuk e firmosa për hir të Dukës”
Dash Frasheri
Ministri Pango apo shteti shqiptar tërhiqet. Trembet “qeveria Berisha nga FIFA e UEFA, apo është një tjetër sinjal dominues i Dukës në sfondin problematik shqiptar. Pango është bindur të firmosë statutin, por me një rezervë për një nga nenet më problematik të tij, që prodhoi edhe pasojën e pezullimit ndërkombëtar nga FIFA e UEFA.
“DO TA FIRMOS!”
“Do ta firmos statutin”, - deklaroi ministri përgjegjës për Sportet në emisionin “Top Show Sport”. “U binda pas një bisede që bëra me shefin e marrëdhënieve ndërkombëtare të FIFA-s, Zherom Shampanj”. Ky nen më pas do të aprovohet në Asamblenë e radhës së Federatës Shqiptare të Futbollit. “Kam bërë maksimumin për të gjetur mirëkuptimin e përshtatshëm me njerëzit e federatës. Jam ministri i vetëm që kam firmosur statutin, gjë që nuk e kanë bërë para meje as ministra socialistë dhe as demokratë. Përse e bëra?, - shpjegon Pango, që bëhet edhe me i “hapur”.
“JO PËR DUKËN”
“Nuk e bëra për hir të Dukës. E kam informuar vazhdimisht kryeministrin Berisha, pasi në fund të fundit jam ministër i vënë prej tij. E kam firmosur edhe për hir të futbollit shqiptar, por dhe të mos mbetej mua njolla e pezullimit të futbollit, qoftë edhe për një muaj”. Mesa duket hyrja në “fushën e lojës” e presidentit të Republikës, Bamir Topi (të hënën takoi në presidencë shefin e futbollit shqiptar, Armand Dukën) ka dhënë efektin e parë. Dhe këtë e pranon i pari zyrtari qeveritar Pango. “Ishte një takim që do të zgjidhë problemin”, - tha ministri për “TV Klan”. “Unë e konsideroj si një vullnet të mirë të presidentit të Republikës, i cili është i njohur si një vlerësues i hershëm i futbollit, ka qenë edhe presidenti i klubit (të futbollit) Tirana”.
“DUKA, PAS MEJE”
Pango sqaron edhe një detaj jo pak të rëndësishëm. “Përpara se të thërriste zotin Duka (për takim) më takoi mua”. Presidenti Topi ka bërë propozimin e tij për nenin që prodhon konflikt me organizmat ndërkombëtare të futbollit, FIFA dhe UEFA.
Në program është edhe një takim i dytë Duka-Pango (MTKRS-FSHF), por kësaj radhe mediatori është i nivelit më të lartë, vetë presidenti i Republikës, i cili të hënën mori si dhuratë simbolike nga FSHF-ja një bluzë të Kombëtares me numrin 10 dhe një top origjinal futbolli. Gjithçka do të nisë pas kthimit të Topit nga Samiti i Bukureshtit, ku Shqipëria do të marrë edhe zyrtarisht ftesën për të qenë anëtare e NATO-s.
IDETË TOPI-SHAMPANJ
Takimi mund të organizohet në fundjavë ose së shumti në ditët e para të javë së ardhshme. “Ka disa propozime interesante, por ka dhe një sugjerim të presidentit Topi”, - shpjegoi Pango. “Neni i statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit, që i jep kësaj të fundit, liri të plotë të pakufizuar, ta korigjojë duke marrë për model një nen të ngjashëm nga federatat europiane”. Por edhe FIFA ka propozimin e saj për rregullimin e nenit 60 të statutit të FSHF-së. “Zoti Zherom Shampanj ka dhenë një mendim se si do ta rregullojmë këtë nen. E presim propozimin e tij me shkrim. Por, dëshira e tij ishte t’ia dërgonte me shkrim federatës dhe federata do të na i kalojë neve (si ministri)”.
Diktat absolut i Dukës
Kur konflikti të mbyllet me një “happy end” (fund të lumtur) do të kujtojmë se përse është dashur ky konflikt trevjeçar. Por nuk do të harrojmë se njeriu në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të vendosë nën diktat absolut një administratë të tipit “lepe-peqe”. Pak ditë më parë në “Skaner Kampionat” (në televizionin “Alsat”), ish-sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Sulejman Starova, deklaroi se klubet urgjentisht duhet të mblidheshin për ti dhënë fund kësaj situate.
Si për ilustrim trajneri aktual i Besës tha se posti më i zhvlerësuar është pikërisht ai sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, njëherësh edhe posti më i rëndësishëm ekzekutiv në federatë. Në kohën e zotit Duka (2003-2008), ka parë katër të tillë: Sulejman Starovën (të dorëhequr pas presioneve) , Arben Bicin (zëvendësim taktik), avokatin Roland Micin (të dorëhequr, përpara se ta shkarkonin) dhe sërish Arben Bicin (të gatshëm për çdo sakrificë).
2 Prill 2008