Faton Toski: “Dua të luaj në Itali”
Eintrahti i Frankfurtit i kosovarit Faton Toski vazhdon të befasojë Bundesligën. Faton Toski. 21-vjeçari është në zhvillim e sipër, madje shihet si një zëvendësues potent. Faqja gjermane rh-online.de i ka kushtuar një portret Toskit, një nga shpresat e ekipit. Pas disa ndeshjeve si zëvendësues erdhi roli i titullarit. Dhe për një 21-vjeçar është jo pak në Gjermani, në një prej kampionateve më të fortë në botë. Faton Toski po shkëlqen atje ku shumë moshatarë të tij kanë dështuar. Me dy gola në Bundesligë (Skela ka shënuar 5, Kapllani asnjë, Lala asnjë), dhe me një teknikë të shkëlqyer mesfushori po krijon dalëngadalë emrin e tij. Me fillimin e fazës së dytë trajneri Fridhelm Funkel po e aktivizon rregullisht Faton Toskin në formacionin e parë, ku dhe kosovari ia shpërblyer me paraqitjet e tij. Të hënën në mbrëmje për televizionin lokal gjerman “HR-Fernsehen”, 21-vjeçari shpjegon edhe situatën aktuale. “Unë jam shumë i gëzuar, që jam pjesë e suksesit. Kjo është një shenjë që po kompensojmë dështimet që kemi pasur. Unë jam i gëzuar edhe për skuadrën. Nuk dëshiroj që ndonjë të dëmtohet, po për ne lojtarët e rinj, sigurisht që është një shans më shumë. Dhe unë e ndjej këtë ndjenjë, pasi edhe unë kam qenë i dëmtuar më parë”.
“Ne jemi krenarë për arritjet”, - thotë presidenti i klubit, Bruqhagen. Ndeshjen e fundit Ejntrahti e fitoi me një emër të madh në Gjermani, Bajer Leverkuzenin me rezultatin e pastër 2-0. Nëse në fillim të sezonit, Frankfurti (një ish-skuadër e Ervin Skelës) luftonte për mbijetesë, tashmë objektivi i trajnerit është zënia e një vendi në zonën europiane. Trajneri Fridhelm Funkel ëndërron: “Një vend në Kupën UEFA, do të ishte ideale”.
Por si dhe trajneri e shokët e tij të ekipit, edhe Toski e nuk dëshiron ta përmendë shpesh fjalën “Kupa UEFA”. “Ne dëshirojmë fillimisht të arrijmë 45 pikët. Çfarë pikësh do të mbledhim pas kësaj, do të ishte fantastike”.
Faton Toski ka pjesën e tij në këtë paraqitje. Për më tepër që ai është i “dashuruar” me Eintrahtin dhe drejtuesit kanë besim te ai. Në muajin janar ai ripërtëriti kontratën edhe për 3 vjet e gjysmë, deri në vitin 2011. Toski shpall edhe objektivat e tij më urgjentë. “Unë dua të zë një vend titullari dhe me Eintrahtin e arrij këtë”, - thotë më vetëdije të plotë 21-vjeçari. Por me kalimin e viteve dhe ai ka ëndrrën e tij: “Unë dëshiroj të luaj dikur në Itali, por ka ende kohë”. Toski është përqendruar plotësisht te Eintrahti i Frankfurtit. Me këtë ekip dëshiron të përmirësojë bilancin e tij personal sezonal, që deri tani është ndalur te 10 ndeshje dhe dy gola.
2 Prill 2008