E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uest Ham kërkon Valon Behramin



Mesfushori kosovar me pasaportë zvicerane, Valon Behrami, ndodhet në listën e dëshirave të skuadrës angleze Uest Ham. Lajmin e jep gazeta britanike “Daily Mail”, që thekson se “çekiçat” londinezë e kanë gati ofertën për mesfushorin e Lacios. Sipas “Daily Mail”, transferimi i Behramit do të realizohet gjatë merkatos verës së ardhshme. Lëvizja është plotësisht e besueshme, pasi ajo propozohet nga ish-drejtori sportiv i Breshias, italiani Xhanluka Nani, i cili është emëruar si drejtori i ri i futbollit te Uest Ham. Nanit i është besuar nga drejtuesit e klubit anglez të gjitha operacionet që kanë të bëjnë me merkaton.
Behrami, i cili mban në fanellë me Lacion numrin 85, është shndërruar në një lojtar titullar i padiskutueshëm në skuadrën e Serisë A. Kosovari është shok skuadre me 34-vjeçarin Igli Tare, i cili me sa duket do të rinovojë edhe ai me Lacion për një sezon tjetër.
22-vjeçari Behrami (mbush 23 vjeç, më 19 prill) ka lindur në Mitrovicë të Kosovës dhe më parë ka qenë shok skuadre te Helas Verona (Seria B, 2004-2005) edhe me Erion Bogdanin e Florian Myrtaj. Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me Veronën, Berhami u kërkua nga Lacio, Juventusi, Interi (të treja skuadra italiane) si dhe nga skuadra angleze Totenhem.
Lacio, një nga tre klubet italiane që janë të listuara në bursën e Milanos (së bashku me Romën dhe Juventusin), i pagoi një shumë prej 6 milionë eurosh Veronës dhe Xhenoas, të cilat zotëronin edhe kartonin e Berhamit, duke blerë 50 përqindëshin e tij.
Gjatë sezonit të parë me Lacion (2005-2006), Behrami luajti 26 ndeshje, ku shënoi dy gola. Në sezonin pasardhës (2006-2007), u aktivizua në 17 ndeshje (1 gol), ndërsa në këtë aktual Behrami ka luajtur në 19 takime (1 gol). Tare ka luajtur 8 ndeshje (1 gol).
Me Kombëtaren e Zvicrës, Valoni ka zhvilluar 10 ndeshje. Ndeshja e parë e tij me fanellën e kuqe të Zvicrës ishte ajo kundër Francës (1-1), më 8 tetor 2005, për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2006. Behrami ka shënuar edhe vetëm një gol, por shumë të “rëndë”, të realizuar kundër Turqisë në ndeshjen e parë play-ofin për pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2006 (12 nëntor 2005), ku Behrami shënoi pas vetëm tri minuta pasi kishte hyrë në lojë si zëvendësues.

“Klan” shqiptar

Kosovari është shok skuadre te Lacio me 34-vjeçarin Igli Tare, ndërsa më parë ka qenë shok skuadre te Helas Verona (Seria B, 2004-2005) edhe me Erion Bogdanin e Florian Myrtaj.

“Ballkan” te Lacio

Lacio ka brenda saj një “Ballkan në miniaturë”, pasi për klubin italian luajnë shqiptari Igli Tare, kosovari Valon Behrami, maqedonasi Goran Pandev, serbi Aleksandër Kolarov dhe rumuni Radu. Në emisionin televiziv mëngjesor më popullor italian, “Uno Mattina” në “RAI Uno” (të ditës së hënë) u trajtua edhe problemi i Kosovës, por i parë nga këndvështrimi i dy futbollistëve lacialë: kosovarit Valon Behrami dhe serbit Aleksandër Kolarov. Televizioni i njohur italian u lidh direkt me qendrën stërvitore të Lacios, ku ishte i pranishëm edhe presidenti Lotito, pronari i bardhekaltërve.. Serbi Kolarov (ndodhej në Serbi), përmes një letre të lexuar nga një zyrtare e Lacios (Eleonora Daniele), theksoi miqësinë e madhe dhe vëllazërinë që e lidhin atë me Berhamin, por dhe me lojtarët e tjerë ballkanikë. Ndërsa, Behrami nga ana e tij, tregoi se ishte larguar nga atdheu i tij, Kosova, në moshën 5 vjeç.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›