“Djajtë e kuq” shkatërrojnë Romën
Roma i dha fund Ligës së Kampioneve brenda aktit të parë të çerekfinaleve, kur Mançesteri fitoi në Romë me rezultatin e pastër 0-2. Kristiano Ronaldo la shenjën e tij në “Olimpiko”, kur në minutën e 39-të portugezi realizoi golin për Mançester Junatid. Pol Skols dhuroi një kros perfekt pranë portës dhe aty u ndodh koka e Ronaldos, i cili goditi në këndin e poshtë të portës së mbrojtur nga Doni. Ky ishte dhe goli i shtatë e Kristianos, i cili mori edhe kryesimin e golashënuesve (Mesi i Barcelonës,i dyti me 6 gola). Nuk mund të mungonte edhe Uejni Runi. Anglezi dyfishoi rezultatin në minutën e 66-të, falë edhe një gabimi të mbrojtjes së Romës. Broun dha një kros të gjatë, topi mbërriti te Ji-Sung Park dhe “djaloshi i artë anglez, Runi nuk fali. 0-2.
Edhe Barcelona arriti të fitojë në “Arena auf Shalke” kundër Shalkes (0-1), në një lojë shumë nervoze. Talenti Bojan Kërkiç realizoi në minutën e 12-ta shumë afër portës, pas devijimit të topit nga portieri Manuel Nojer të goditjes së Tieri Henrisë. Shalke pati një numër të madh rastesh të pabesueshme për të barazuar, por djemtë e Mirko Slomkës nuk e realizuan golin e nderit në shtëpinë e tyre. Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen, më 9 prill.
2 Prill 2008