NATO "gllabëruese" financiare

Vetëm shpenzimet për pajisjet ushtarake rrotullohen në rreth 170 miliardë dollarë, shumë që afërsisht është sa prodhon një vend si Rumania për një vit. Këtu flitet vetëm për shpenzimet ushtarake me destinacion të specifikuar për NATO-n, pa konsideruar shumat e alokuara nga vendet anëtare të Aleancës çdo vit, për kostot aktuale të ushtrive kombëtare dhe ato për përforcimin e tyre. Udhëheqëse në këtë pikë mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat dominojnë klasifikimin e shpenzimeve ushtarake për secilin vend, si brenda NATO-s, ashtu dhe në nivel botëror. Nga ana tjetër, buxheti amerikan që vihet në dispozicion vetëm për mbrojtjen është sa shpenzimet e gjithë NATO-s për një vit dhe përfaqëson më shumë se 1/3 e shpenzimeve ushtarake në nivel botëror, që mendohet të arrijnë këtë vit në rreth 1.500 miliardë dollarë. Ndërkohë, shpenzimet amerikane për ushtrinë është një ndër pikat kryesore të zhvillimit ekonomik të Shteteve të Bashkuara, që mbështetet nga një lobim i fuqishëm i kompanive të mëdha prodhuese të pajisjeve ushtarake. Analistët vlerësojnë shpenzimet e NATO-s për vitin e kaluar në rreth 500 miliardë dollarë, ku përfshihen shpenzimet për personelin dhe ato që u takojnë pajisjeve. Shifrat e fundit ekzakte i referohen vitit 2006, gjatë të cilit për pjesën e personelit, vendet anëtare kanë shpenzuar së bashku 302.9 miliardë dollarë, në një kohë që për pajisjet u shpenzuan 177 miliardë dollarë. Në vitin 2006, përpjekjet financiare për personelin e NATO-s kanë qenë më të vogla se 6 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm, ndërkohë që shpenzimet që jepen për pajisjet ushtarake u rritën me 5 për qind. Me gjithë ndryshimet radikale, përmes së cilave kaloi bota në këndvështrimin politik në dekadat e fundit, tregtia e armëve ka mbetur konstante. Sipas vlerësimeve të fundit të specialistëve, në vitin 2006, në nivel botëror u shpenzuan 1.158 miliardë dollarë (743 miliardë euro) për teknikën ushtarake. Kjo shumë përfaqëson 2.41 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në nivel botëror. Nga ana tjetër, kjo shumë është 3 për qind më e madhe se ajo e treguar për vitin 2005, ku në ecurinë e 10 viteve përpjekjet globale financiare për mbrojtje u rritën me 37 për qind. Ndërkohë, për vitin 2008 vlerësohet një rritje deri në 1.473 miliardë dollarë për shpenzimet e mbrojtjes në nivel botëror. Ashtu siç pritet, aktori kryesor në skenën botërore ushtarake, Shtetet e Bashkuara, është lideri nr. 1 në klasifikimin e vendeve për sa u përket shpenzimeve të bëra në sektorin e mbrojtjes. Amerikanëve u shkojnë 60 për qind nga rritja e shpenzimeve ushtarake të vitit 2005. Në vitin 2006, SHBA-të kanë shpenzuar 528.8 miliardë dollarë (339.17 miliardë euro) në këtë fushë. Kjo shumë do të thotë 3.99 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe 46 për qind të të gjithë shpenzimeve për mbrojtjen në nivel botëror. Duhet kujtuar se për vitin 2009, kërkesa për buxhet e bërë nga Departamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara ka qenë 518.3 miliardë dollarë. Gjithashtu, amerikanët dominojnë të gjithë klasifikimet në këtë profil, ku eksportet e armatimeve të SHBA-ve në vitit 2006 u rritën në 7.929 miliardë dollarë (5.1 miliardë euro), në një kohë që klasifikimi i kompanive në këtë fushë është po ashtu i dominuar nga korporatat e mëdha amerikane, siç është “Lockheed Martin”, “Boeing”, “Northrop Grumman”, “Raytheon” apo “General Dynamics”. Në vitin 2007, operatori më i madh në industrinë e mbrojtjes ishte “Lockheed Martin”. Kjo kompani amerikane ka pasur një shifër biznesi prej 36 miliardë dollarësh në këtë fushë aktiviteti, çka përfaqëson 91 për qind të të gjithë bizneseve totalë të të gjithë grupit. Ndërkohë, të gjitha kompanitë që dominojnë tregun e armatimit zhvillojnë në fakt aktivitete të shumëllojshme, me operime si në fushën e mbrojtjes, ashtu dhe në atë të bizneseve “civilë”. Në industria e mbrojtjes, shpenzimet, eksportet dhe gjithë treguesit e tjerë ekonomikë të rëndësisë së parë do të mbeten në vlera të ngritura gjatë viteve të fundit, në një kohë që konfliktet në të gjithë globin vazhdojnë, pavarësisht zonës delikate të Lindjes së Mesme. Lufta në këtë mekanizëm luan një rol prej konsumatori, që në fund të fundit mbetet thjesht ekonomik. Ekonomisti Nobel Joseph E. Stiglitz, fitues i çmimit “Nobel” dhe Linda J. Bilmes, vlerësojnë në 1.700 deri 2.000 miliardë dollarë përpjekjen financiare, që do të duhet të ketë mbi supe deri në vitin 2017 buxheti i SHBA-ve me konfliktet në Irak dhe Afganistan. Në fund, mund të përmendim atë që ka thënë në fillim të vitit Winslow T. Wheeler, një ndër specialistët më të mirë amerikanë në fushën e mbrojtjes: “Artikujt në gazetat ndërkombëtare janë mbushur plotë me numra. Ato mund të duken precize. Pak nga to do të jenë ekzakte, shumë do të jenë jokomplete, ndërsa disa do të jenë të dyja në një vend. Më keq është se vetëm disa prej nesh janë të aftë të thonë se cilët numra janë shumë të mëdhenj, cilët numra janë tepër të vegjës dhe cilët janë aq të ngatërruar për të humbur interesin e vërtetë”
Marrë nga “www.cotidianul.ro”