Bello dhuron 7 kompjutera në shkollën Kozarë
04/06/2005 Ministri i Shtetit, Marko Bello, ka zhvilluar dje një takim me maturantët e shkollës së mesme të komunës së Kozarës, me rastin e përfundimit të vitit shkollor 2005. Bello, i cili është dhe kandidat për deputet në zonën elektorale numër 76, në rrethin e Beratit, i ka dhuruar kësaj shkolle një laborator informatike me 7 kompjutera, duke kompletuar kështu një nga kërkesat kryesore të nxënësve të kësaj shkolle. Ministri Bello, duke festuar së bashku me maturanët 25 vjetorin e diplomimit të tij në këtë shkollë dhe në shënjë simbolike ka vendosur firmën e tij në 30 bluzat e maturantëve si kujtim për “Maturën 2005”. Kandidati për deputet u ka premtuar maturantëve se në festën e maturës, e cila do të zhvillohet më 3 korrik do të jetë pjesë e gëzimit të tyre për të festuar njëkohësisht dhe fitoren e tij si deputet i kësaj zone. Fushata elektorale e ministrit Bello në zonën elektorale numër 76 ka filluar dje zyrtarisht me maturantët e shkollës së mesme, për të vazhduar me takime të shuma ditët e vijim në të katër komunat e kësaj zone. Kandidati i PS-së ka përballë në zgjedhjet e 3 korrikut kandidatin e Partisë Demokratike, Leonard Kumaraku, si dhe atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Albert Pilo. Pavarësisht se kjo zonë është cilësuar si një bastion i Partisë Socialiste, sipas Bellos “ka shumë punë për të bërë dhe se Partia Socialiste gjatë mandatit të saj të tretë qeverisës do t'i japë dimensione të reja zhvillimit të mëtejshëm të kësaj zone, si dhe të gjitha zonave të tjera të Shqipërisë, për ta futur vendin kështu në rrugën e integrimit evropian”.