PDS prezanton kandidatin e Mallakastrës
04/06/2005 Kryetari i Partisë Demokracia Socialiste, Paskal Milo, i ka kërkuar elektoratit të Mallakastrës që të votojë për alterantivat që ofron e majta shqiptare. Gjatë prezantimit të kandidatit të kësaj partie në këtë zonën numër 73, Agim Meta, kreu i PDS-së ka kërkuar që e majta të jetë e bashkuar, në mënyrë që të qeveris sërish për katër vitet e ardhshme. “Bashkoni respektin për demokracinë sociale, angazhimin për të dhe krenarinë, nderin dhe ndershmërinë tuaj dhe do të shikoni se do të prodhojmë rezultate të shkëlqyera, që do të kenë ndikim pozitiv në politikën shqiptare dhe në qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë”, tha Milo. Kreu i PDS-së do të vijojë turin e tij elektoral në të gjithë zonat elektorale të vendit, për të prezantuar kandidatët e saj për garën elektorale të 3 korrikut si dhe për të shpalosur programin e saj politik. Në të gjitha këto takime me elektoratin, kreu i PDS-së ka bërë thirrje për fitore të së majtës.