E Diel, 1 Nëntor 2026

Gorbaçov: Shqiptarëve ua kisha borxh një vizitë

Presidenti Mikhail Gorbaçov zhvilloi dje takimet e para me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

TIRANË Presidenti i fundit i ish-Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov, i cili ndodhet në Shqipëri si i ftuar nderi në Kampionatin Botëror të Shahut për Femra, ka zhvilluar dje takimet e para me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë takimit me Berishën, ky i fundit u shpreh se Gorbaçov, i udhëhequr nga një kurs reformash në një kohë të vështirë dhe të rrezikshme, hapi një epokë të re lirie jo vetëm për popujt e Bashkimit Sovjetik, por për të gjithë Europën dhe botën. “Ndër vendet e kombet ish-komuniste, - tha Kryeministri, - shqiptarët kanë ndjekur me admirim e vëmendje të madhe të gjitha lëvizjet tuaja, të cilat kanë pasur rëndësi historike për nxjerrjen e këtyre popujve nga diktatura”. Kryeministri theksoi se qëndrimin e tij ndaj murit të Berlinit dhe mesazhin që i dha udhëheqjes së Europës Lindore, nuk do ta harrojnë kombet e Europës dhe veçanërisht Shqipëria. “Midis nomenklaturës dhe popullit, - theksoi Kryeministri - ju zgjodhët popullin.” Nga ana e tij, presidenti Gorbaçov shprehu kënaqësinë që vizitonte Shqipërinë, duke theksuar se dëshira për të vizituar vendin tonë ka qenë e hershme. “Unë ua kam pasur shqiptarëve borxh këtë vizitë dhe tani e shleva atë”,- tha Gorbaçov. Ai i shprehu Kryeministrit vlerësimin për kontributin në jetën politike të vendit dhe transformimin e tij në këto 20 vjet. “Ju jeni një politikan real dhe kjo është e rëndësishme për vendin”,- u shpreh Gorbaçov. Po dje, Gorbaçov zhvilloi një bisedë miqësore me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku ishte i pranishëm edhe deputeti i PS-së, Kastriot Islami. Ky i fundit e ka takuar në qershor të vitit ‘91 kur ka qenë kryetar i Kuvendit, ndërsa Gorbaçov President i Bashkimit Sovjetik. Duke rikujtuar datat historike me presidentin Regan, presidenti Gorbaçov tregoi mbi përpjekjet kolosale e të vështira për reformim. Në përfundim të takimit, presidenti Gorbaçov vlerësoi mikpritjen dhe shprehu ndjenjat më të përzemërta për popullin shqiptar në Librin e Shënimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›