E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e re e PS, deputetët dhe Asambleja nisin kandidaturat

Socialistët mbledhin nesër Asamblenë e dalë nga Kongresi i fundit, për të zgjedhur kryesinë dhe sekretariatin e ri të partisë. Ndryshe nga herët e fundit, Asambleja mësohet se do të mblidhet në orën 11:00, në një prej ambienteve private që ndodhen në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës, dhe jo te ‘Xibraku’, ku dhe i ka zhvilluar zakonisht punimet. Ajo që pritet me interes është pikërisht lista e emrave që do të propozojë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, për anëtarë kryesie dhe sekretariatin. Megjithëse vendimmarrja i takon Asamblesë, nga drejtuesit socialistë është menduar që të shtohet numri i anëtarëve të kryesisë, kjo për të krijuar mundësinë që në të të futen sa më shumë figura me qëllim motivimin e tyre në çështjet organizative dhe politike të partisë. Për të përcaktuar listën e emrave që do të propozojë, kryetari socialist ftoi anëtarët e Asamblesë, përfshi edhe deputetët, që të bëjnë propozime dhe t’ia dërgojnë ato me e-mail. Pavarësisht kësaj, ajo që dihet deri tani është mospërfshirja më në kryesi e një sërë figurash, të cilët aktualisht në mënyrë zyrtare figurojnë si anëtarë kryesie. Bëhet fjalë për emra të tillë, si Eva Allushi, Saemira Pino, Mimoza Hafizi dhe Ermelinda Meksi. Ndryshime të shumta pritet të pësojë sekretariati i partisë, ku do ketë lëvizje të shumta, ku përveç Kastriot Islamit që nuk pritet të rikandidohet, e sigurt konsiderohet edhe mosrizgjedhja e Andis Harasanit si sekretar i programit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›