E Diel, 1 Nëntor 2026

Ben Blushi: Otelloja im, më fatkeq se i Shekspirit

Histori, dashuri, xhelozi, intriga... Otello e rishkruan edhe një herë fatin e vet. Kësaj radhe në Vlorë. Djaloshi zezak zbret në botën shqiptare të Mesjetës. Ben Blushi e bën protagonist të sprovës së dytë letrare. Ia huazon Shekspirit dhe ngre për të një mozaik ngjarjesh e personazhesh shqiptare. "Otello, Arapi i Vlorës" është libri i dytë që e sjell Ben Blushin si shkrimtar te publiku shqiptar. Jo më larg se një vit nga suksesi i romanit "Të jetosh në ishull", Blushi intrigon edhe një herë. Ka zgjedhur tehun e mprehtë të lojës artistike me personazhet e famshme të Shekspirit. Ka marrë jo vetëm Otellon, por edhe Desdemonën, Emilian, Jagon, Kasin. Nga historia shqiptare ka "zgjuar" Balshën, Komita Muzakën, princin serb Mrkzha Zharkoviç, ndërsa fantazia e ka çuar te mjeku i famshëm Stefan Gjika, trimi lab Andrea, turku pushtues Hamiti, etj. I hedhur në treg nga "Toena", romani ka ngjallur më së pari kureshtje. Ndonëse shprehet se nuk ka asnjë qëllim të ngacmojë publikun, me një stil të veçantë, Blushi hyn në hullitë e racizmit, dashurisë, intrigës, homoseksualitetit...Rrëfen mendimet, njerëzit, botën ashtu siç e sheh, ashtu siç nuk e thotë dot në fjalimet politike, ashtu siç të tjerët e pranojnë më lehtë. Është i gatshëm të ndajë me lexuesit ato që i thotë veç mes rreshtash, ndonëse ndonjëherë edhe i paragjykuar.

Një Otello që zbret në Vlorë. Pse zgjodhët pikërisht këtë qytet? Si do të kishte qenë Otello në një pjesë tjetër të Shqipërisë?

Për sa kohë që kam zgjedhur Vlorën, besoj se Otello i shkon Vlorës. Në radhë të parë, sepse në vitet për të cilat bëhet fjalë, 1300-1400, Vlora ka qenë një nga dy qytetet kryesore të Shqipërisë dhe ka pasur shkëmbime të shumta me Venedikun, si dy qendra financiare apo tregtare të Evropës. Kjo është pjesa historike që zhvillohet në libër. Së dyti, Vlora është qytet shumë ekzotik, ndoshta me historinë më të pasur në Shqipëri që në kohët e vjetra. Për sa kohë që Otello erdhi nga deti e Venediku, nuk mund të shkonte në qytet jo bregdetar. Këto janë disa arsye të thjeshta sepse është zgjedhur ky qytet si sfond për historinë e Otellos, për më tepër që kam dashur të tregoj një realitet shqiptar të atyre viteve, historinë e familjes Balsha, sundimtarët e Vlorës. Balsha ka qenë shqiptari, ose nëse mund ta quaj burri i shtetit që ka qeverisur më shumë troje se çdo shqiptar tjetër. Shqipëria e Balshajve është Shqipëria më e madhe që historia ka njohur deri më sot. Një histori pak e zbuluar në sensin artistik.

Përse ia keni huazuar personazhet Shekspirit për t‘i sjellë në një ambient shqiptar?

Për mua do të ishte shumë më e thjeshtë që t‘i vija një tjetër emër Otellos e po ashtu personazheve të tjerë, të marrë nga tragjedia e famshme e Shekspirit dhe ndoshta mund të ishte i njëjti libër. Kam preferuar në mënyrë të qëllimshme dhe me dashje të rimarr historinë e Otellos, sepse jam i bindur që është një nga legjendat më të bukura të botës. Ndoshta bën pjesë në katër- pesë gjërat më të famshme që historia e letërsisë do të vazhdojë t‘i trashëgojë për shekuj. Për sa kohë që Otello është po aq i famshëm sa Akili i Trojës, Odiseja, sa Jezu Krishti apo Muhamedi, do të jetë interesant. Unë kam kërkuar me qëllim të tregoj apo rrëfej një histori që njerëzit mendojnë se e dinë, por që është e ndryshme: kemi një sfond tjetër, një tjetër histori, me një përfundim pothuaj të ndryshëm. Kjo besoj se do t‘i intrigojë lexuesit dhe më jep mua mundësi të ndaj me njerëzit ato që unë mendoj për botën.

Edhe në këtë libër të dytë, ashtu si edhe në "Të jetosh në ishull", gjithçka ndodh në një sfond historik. Është një kërkim i qëllimshëm i juaji. Në funksion të çfarë ideje e shfrytëzoni?

Padyshim që është zgjedhje e qëllimshme. Në rastin e librit të parë, "Të jetosh në ishull", historia ndoshta ishte një qëllim në zbulimin e disa pjesëve të fshehura apo të panjohura. Kjo ishte arsyeja e komenteve të shumta që shoqëruan botimin e tij. Në "Otello, Arapi i Vlorës", historia nuk është më një qëllim, por një sfond ose dekor i Otellos. Besoj se ata që lexojnë librin, përmes udhëtimit të Otellos nëpër Shqipëri apo Venedik, mund të mësojnë dhe familjarizohen me personazhe realë që kanë udhëhequr Shqipërinë e para 600 vitesh, siç janë Balshat apo gruaja e tij Komita Muzaka. Është një sfond shqiptar shumë interesant për ta njohur, sidomos para pushtimit turk kur zhvillohen ngjarjet.

Personazhe historikë, të vendosur në marrëdhënie të caktuara që zbulojnë më së shumti anë njerëzore, duken ndonjëherë në pozicione çmitizuese. Është e vërtetë kjo?

Unë i përshkruaj personazhet realë si njerëz të vërtetë, që kanë ekzistuar në një kohë të caktuar, kanë pasur defekte dhe merita, njerëz që kanë pasur shijet e tyre për jetën, raportet familjare dhe më gjerë se kaq. Në qoftë se janë mite, janë të tilla sepse nuk janë njohur sa duhet. Ka një distancë gati 600-vjeçare mes nesh dhe Balshajve apo Komita Muzakës. Unë i përshkruaj si njerëz të zakonshëm dhe sigurisht duke u përpjekur t‘ua ruaj dhe mos t‘ua prish magjinë që kanë transmetuar në shekuj.

Pritja që i bëhet Otellos në Vlorën e asaj kohe është një skenë e pazakontë, e mbushur me paragjykime dhe racizëm...

Gjithmonë ka një ditë të parë në shfaqjen e diçkaje në botë. Kështu ka ndodhur në Vlorën apo Shqipërinë e asaj. Ka pasur një ditë të parë kur shqiptarët kanë parë një njeri me ngjyrë, një njeri me ngjyrë që ka shkelur në tokën e tyre dhe unë kam zgjedhur që ky të jetë Otello. Raporti i shoqërisë, shoqërive apo komuniteteve të ndryshëm me të ndryshmen është një fill që përshkon pothuaj gjithë librin. Në rastin konkret, kjo ndodh me njeriun me ngjyrë. Bota e ka edhe sot këtë problem. Akoma shumë shoqëri vuajnë pamundësinë për të integruar atë që nuk është i barabartë me shumicën tjetër. E njëjta gjë ndodh në Evropë, ndodh edhe te ne. Ky libër, pavarësisht se e merr fabulën 600 vjet përpara, përpiqet sadopak ta thotë këtë gjë, të ndërtojë një realitet dhe të vërë në pah me një prirje antiraciste sesi njerëz qofshin me ngjyrë, //////të ndryshëm apo ///////të ndryshëm, vuajnë për shkak të lëkurës, për shkak të defekteve të ndryshme që nuk i bën ata tipikë. Sot, Otello, mund të gjesh në rrugët e Shqipërisë apo gjithë Evropës. Për shkak të kushteve ekonomike, shumë njerëz lënë vendet e tyre, ndoshta Afrikën dhe vijnë në Evropë për të gjetur vende pune. Edhe nëse sot nuk kanë ardhur në Shqipëri, mundet që të ndodhë një ditë. Është e sigurt që shoqëria nuk i pranon që në ditën e parë. Kalojnë një kalvar vështirësish, në shumë raste abuzohen, i trajtojnë keq apo i paragjykojnë dhe e kanë shumë të vështirë të konsumojnë një dashuri me një vajzë normale. Ky është edhe fati i Otellos, i cili abuzohet vazhdimisht, paragjykohet, e çojnë në luftë kundër dëshirës së vet, e burgosin dhe në fund i mohojnë dashurinë e madhe të jetës. Kjo është një tablo e hasur shpesh sot nëpër Evropë me njerëzit që vijnë nga këto anë të botës.

Keni përfytyrim politik për Otellon?

Jo, nuk kam një figurë. Otello është një personazh artistik, i cili nuk merr përsipër të bëjë politikë, por shpresoj të jetë tipik në ditët tona.

Diku, në librin tuaj, përmendet Barak Obama...Është rastësore kjo?

Është një lojë fjalësh jo dashakeqe, por përmes tij ndoshta njerëzit kanë mundësi të kuptojnë se si ka evoluar bota në raport me paragjykimet e veta që ka apo ka ngritur përgjatë historisë. Rreth 600 vjet më parë, Otello pati fatin e keq se ishte njeri me ngjyrë. Rreth 600 vjet më vonë, një njeri me ngjyrë zgjidhet në mënyrë demokratike President i Shteteve të Bashkuara. Kjo tregon se bota ka evoluar. Ja vlen të hyjmë thellë në histori për të parë sesi njerëzimi ka ndryshuar, duke u ngritur mbi paragjykimet që i ka ndërtuar vet, për shkaqe jo gjithmonë realiste.

"Të jetosh në ishull" shkaktoi mjaft reagime, libri i dytë deri më tani ka ngjallur më shumë kureshtje. A jeni ndier i paragjykuar për letërsinë ndryshe që keni shkruar?

Nëse kam ndier ndonjë paragjykim, i kam ndier për arsye jo artistike. Pikërisht për këtë fakt nuk jam mërzitur. Ato kanë ardhur për shkakun tim dhe unë jam përpjekur që profili im politik, profili gazetaresk që mund të kem pasur apo shoqëror, të mos dëmtojë librat e mi. Shpresoj të mos e kem bërë këtë, edhe pse janë përpjekur të më fusin në këtë kurth, duke paragjykuar librat e mi për shkak të autorit. Dua ta përsëris, autori dhe libri nuk janë e njëjta gjë. Autori mund të jetë njeri shumë i keq, libri mund të jetë shumë i mirë dhe anasjelltas. Autori dhe libri ndahen në momentin që libri mbaron dhe njerëzit duhet ta gjykojnë veças letërsinë. Bota ka njohur me dhjetëra raste kur autorët mund të kenë bërë sjellje të papëlqyeshme, politike apo të natyrave të tjera. Letërsia mbetet. Për këtë arsye, unë nuk kam asnjë brengë, i pranoj të gjitha kritikat për sa kohë ato janë artistike dhe jo politike.

Një nga pikat e diskutueshme të "Otellos..." për personazhet historikë është masa e të vërtetave të thëna dhe trillimit. Sa trillim ka për krushqinë serbe të Balshajve, martesën e vajzës Rugina me princin serb Mrkzha Zharkoviç?

Kjo është një histori e vërtetë, e cila nuk është vënë me qëllim. Pasi Balsha, sundimtari i Vlorës u vra nga turqit, e veja e tij, Komita Muzaka, bashkë me të bijën, u detyruan të ndërtojnë disa aleanca për të ndihmuar Vlorën, apo për të penguar turqit ta pushtonin, siç ndodhi disa vite më vonë. E vetmja mënyrë që gjetën ishte martesa e vajzës, Rugina Balshës, me një princ serb. Në kohën që flasim, kjo ishte normale. Vazhdimisht princat e Shqipërisë kanë bërë krushqi me princa serb. Mrkzha Zharkoviç është një personazh i vërtetë, ndonëse qëlloi një burrë i mirë, por i paaftë për ta mbrojtur Vlorën. Të paktën kështu e thotë historia. I vetmi trillim i imi është se kam bashkuar një personazh të vërtetë shqiptar me një personazh të Shekspirit (që në fakt, edhe ai ishte i vërtetë, Kasi). Unë kam bashkuar Kasin e Shekspirit me serbin Mrkzha Zharkoviç, për të ndërtuar një Kas, i cili vepron në sfond shqiptar, i përgjigjet intrigës që Shekspiri ka ndërtuar për Otellon që unë e kam rimarr për ta sjellë të ndryshuar.

Dy libra me sfond historik, si është raporti juaj me historinë?

Më pëlqen historia, sepse duke e njohur, e kemi shumë të thjeshtë të shpjegojmë ato që ndodhin sot. Unë përpiqem të kuptoj dhe të ndaj me njerëzit atë që ndodh sot në Shqipëri, duke u futur thellë në histori. Duhet kuptuar pse jemi ne këta që jemi. Historia mesjetare e Shqipërisë është një nga pjesët më të panjohura, më të pazbuluara. Aty ka lëndë dhe brumë për ta shfrytëzuar dhe për të ndërtuar një magje artistike që besoj se i ka munguar Shqipërisë. Kjo ka ndodhur gjatë trysnisë së fortë kulturore që ne patëm gjatë dy regjimeve që pasuan njëri-tjetrin, pushtimi turk dhe komunizmi. Në një kuptim të dy kishin raport ideologjik me historinë tonë dhe kjo është arsyeja që shumë grimca historie apo detaje të rëndësishme kanë humbur përgjatë shekujve. Unë nuk marr përsipër të rindërtoj historinë, por e përdor në një kuptim artistik, e përdor historinë dhe historitë (në shumicën e rasteve janë të vërteta, pavarësisht se kanë fantazi brenda) të shkojnë te lexuesi në mënyrë më të pranueshme. Njerëzit lexojnë më shumë letërsi se histori.

Në libër vjen e trajtuar edhe një temë që sot është tabu, ajo e homoseksualizmit...

Kjo ndodh në një situatë burgu. Mes dy personazheve, Andreas dhe Otellos, zhvillohet një raport i vështirë, të cilët në një kontekst të caktuar flirtojnë për t‘u mbijetuar kushteve të burgut. Nuk besoj se ka ndonjë gjë për t‘u çuditur. Është pjesë e jetës së ditëve tona dhe ndoshta padyshim në kushtet që unë përshkruaj ka qenë pjesë e izolimit apo e një brutaliteti që ka ekzistuar në Mesjetë.

Është pjesë e juaja ngacmimi i publikut?

Nuk synoj të ngacmoj publikun. Nëse do të doja ka mënyra të tjera për ta bërë. Kam mundësi të bëj deklarata politike nga më të çuditshmet për shkak të profesionit që të marr reagimin e publikut, por nuk është ky qëllimi. Qëllimi është të ndaj mendimet e mia me të tjerët. Nëse ato duket sikur provokojnë, kjo është bërë pa të keq. Unë dua të shkruaj disa gjëra ashtu siç i mendoj dhe nëse njerëzit i ndajnë me mua në një masë të madhe, kjo padyshim që më jep kënaqësi.

Si ngjizet te ju një libër...

Gjithçka fillon nga mendimi. Padyshim, pjesa që mbetet është vullnet. Një libër nuk bëhet dot pa vullnet dhe pa u ulur me orë të tëra në kompjuter apo tavolinë. Pas ndërtimit të një strukture, ideje, pjesa më e madhe e punës është ta mbushësh atë me lëndë. Ky është një proces i vjetër sa bota dhe jam i bindur që kështu do të vazhdojë. Mendoj se vullneti është në themel të letërsisë. Ka shumë njerëz që kanë mendime të bukura apo fantazi, por nëse u mungon vullneti për t‘u ulur në tavolinë, nuk kanë për të bërë letërsi. Vullneti, bashkë me fantazinë apo mendimet që ke për botën, krijon atë që quhet letërsia.

Do të "arratiseni" sërish në histori për librin e ardhshëm?

Është shpejt për të menduar për librin tim të ardhshëm, pavarësisht se kjo më është kthyer në një mënyrë jetuari. Një mënyrë të jetuari për t‘u ulur në tavolinë dhe të filloj të shkruaj. Por ka raste kur mund të fillosh një libër, e ndërpret diku dhe nga ai fillon një libër tjetër. Kështu më ka ndodhur mua në rastin e "Otellos". Isha duke shkruar diçka tjetër kur më lindi në kokë ideja e Otellos. I ndërpreva ato që po bëja dhe deri në ditën që e mbarova këtë libër, nuk u mora me asnjë punë tjetër. Ti mund të paramendosh vetëm uljen në tavolinë, pjesa tjetër fillon e ndërtohet vetë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›