E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seanca e fundit si prolog

Parlamenti zhvilloi këtë javë një seancë të thirrur me urgjencë. Ishte e beftë kjo seancë, pasi mbyllja e punimeve të legjislaturës ishte njoftuar një javë më parë, kur opozita kreu aktin bojkotues të punimeve. Nevoja për kalimin me urgjencë të raportit të paraqitur nga Komisioni Parlamentar Hetimor për kryebashkiakun kryesocialist Edi Rama, u bashkua me nevojën për votimin e ligjit "Për gjykatat administrative", i cili kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash. Mungesa e opozitës në këtë seancë e dështoi qëllimin për kalimin e ligjit, por gjithsesi i dha mundësinë shumicës, të ligjëronte publikisht akuzat e veta ndaj abuzimeve të kryebashkiakut të Tiranës me lejet e ndërtimit.

Matanë kësaj kronike, Kryeministri Berisha, duke marrë fjalën kritike në adresë të opozitës së Edi Ramës, spostoi adresimin, duke iu drejtuar kreut të LSI-së, Ilir Meta, me ftesën për të bashkuar votat me të, për të miratuar ligje të rëndësishme, mes të cilave edhe ligje që thellojnë reformat në sistemin e gjyqësorit. Madje, Kryeministri Berisha e shtyu shpresën e vet për miratimin e kësaj nisme të rëndësishme, deri në muajin shtator. Zoti Berisha pohoi: "Duke shprehur keqardhjen që nuk e votojmë dot sot, mendojmë se pavarësisht fushatës, pala tjetër ose LSI dhe ndonjë nga forcat e tjera që vendos të bashkojë forcat me ne, të mblidhemi në një seancë dhe ta miratojmë këtë ligj në respekt të biznesit".

Nevoja për pasjen e ligjit "Për gjykatat administrative" është argument i mjaftueshëm për këtë apel specifik të Kryeministrit, njëherësh kryetar i shumicës parlamentare. Mirëpo përcaktimi i alternativës tjetër, përpos votave të opozitës-Rama, pra kërkesa drejtuar LSI-së, mund të konsiderohet një shenjë tjetër politike dhe pse jo edhe elektorale, në këtë mënyrë, se si po vërtiten hamendësimet për rezultatet parazgjedhore.

Dilemat për paracaktimin e fituesit të zgjedhjeve të 28 qershorit janë të shumta, sikundër fiks, mbetet dilema për dasinë e thellë mes dy forcave kryesore të së majtës së sotme të vendit, pra PS-LSI. Kjo dasi është zyrtarisht e konfirmuar, sikundër edhe më i shtuar është skepticizmi për bashkimin e tyre post-28 qershor, në emër të qeverisjes së pretenduar.

Në mjediset partiake dhe politike të së majtës, prej kohësh gjallon pëshpërima se LSI mund të jetë një alternativë ofertuese në pushtet, nëse PD fiton shumicën e votave në Parlamentin e ardhshëm, por në pamundësi për të pasur shumicën vendimmarrëse, t‘i drejtohet një aleance, jashtë koalicionit të sotëm konkurrues. Zyrtarisht selia politike e zotit Meta e ka denoncuar këtë hamendësim si fabrikim të kundërshtarit antagonist Edi Rama. Mirëpo mes fabrikimit të pretenduar dhe ftesës së artikuluar prej Kryeministrit Berisha, në adresë të zotit Meta, po rivendoset një normë e re hamendësimi, mundësie dhe pse jo, dilemash. Seanca e lënë hapur e epilogut parlamentar të legjislaturës 2005-2009, mesa duket e mbart edhe këtë dilemë. Kjo seancë, nëse mblidhet në ditët e pikut të fushatës zyrtare elektorale, do të përdoret pashmangshmërisht, prej oratorëve dhe stigmatizuesve politikë të palëve të ndara. S‘është çudi që kjo do të jetë një arsye kontribuuese në thellimin e antagonizmit elektoral, por edhe të protagonizmit polemizues mes krerëve politikë të së majtës. Pas afishimit të listave të kandidatëve për deputetë, në ditën e parë të kësaj jave që po hyjmë, të gjitha këto arsyetime dhe dilema do të riaktualizohen. Janë të pritshme shpërthimet e pakënaqësisë përjashtuese, diku më shumë e diku më pak nga listat e kandidatëve, sikundër është edhe e paqartë skema e reagimeve brendapartiake. Këto reagime dhe nevoja për ta rimbledhur edhe një herë Parlamentin në ditët e nxehta të fushatës apo të negociatave për qeveri të re, përbëjnë një seancë të fundit që vlen si një prolog politik.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›