E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qetsori kthehet si hero tek i biri

Përfundoi dje edicioni i dytë i
"Big Brother Albania", një tjetër
spektakël i suksesshëm, i cili
mban firmën e televizionit
kombëtar "Top Channel". Një tjetër
fitues ka dalë nga ky edicion. Qetsori,
33-vjeçari nga Dukati i Vlorës, djali që
me strategjitë e tij ka lënë shenjë në
këtë edicion të dytë të "Big Brother Albania",
është fituesi i çmimit të madh. Ka
deklaruar se ka hyrë në shtëpinë më të
madhe në vend, sepse i duheshin para
për të vazhduar biznesin e ngritur, por
jo vetëm për këtë. Ka dashur të ndihet
një hero për djalin e tij të vogël. Thotë
se falë "Big Brother" ia ka arritur. "Me
vullnet, punë e përkushtim mund të
ecet përpara. Unë ia kam dalë mbanë",
ka thënë ai.
Një spektakël madhështor ka mbyllur
edicionin e dytë të "Big Brother Albania".
Çdo gjë ishte menduar ndryshe
për natën finale. Surprizat kanë filluar
që në hapje. Ish-banorët e kanë pritur
Arbanën në studio me një tufë lule,
ndërsa Eno ishte vendosur në derën e
shtëpisë për t‘i pritur banorët bashkë
me fansat që kanë bërë gjatë 100 ditëve
të qëndrimit në shtëpi. Katër finalistët
e kanë nisur natën e emocioneve të
mëdha me një surprizë. Nga zona e
oborrit kanë lexuar në qiell emrat e
tyre fosforeshentë. Ndërsa spektakli
në vazhdim ka qenë i mbushur plot të
papritura.
Bjordi hap zarfin e ditëlindjes
Surpriza e parë në natën finale të
"Big Brother" i ka takuar Bjordit. Një
djalosh shqiptar, i rritur prej vitesh
në Itali vinte në "Big Brother" për të
provuar një aventurë të jashtëzakonshme.
Dëshironte të bëhej i famshëm
dhe tashmë është i tillë. Që në ditët
e para, ai ka fituar simpatinë e gjerë
të publikut. Spontaniteti në sjellje,
buzëqeshja e përhershme dhe historia
e jetës së tij(nuk e kishte njohur deri
para spektaklit të atin). Arbana i kërkon
Bjordit të dalë në oborr. Aty e presin
dy miqtë e tij të ngushtë të ardhur
nga Italia, Mikele dhe Andrea. Është
emocionuar shumë që i ka parë dhe i
ka takuar, ndërkohë që Vëllai i Madh u
ka kërkuar të inskenojnë edhe njëherë
skenën ku bashkë me miqtë e tij interpretojnë
këngën e Frenk Sinatrës.
Ndërkaq, një tjetër surprizë është ende
e pazbuluar për të. Bëhet fjalë për zarfin
e dhuratës së ditëlindjes, që i përket
11 marsit të shkuar. Në të Bjordi lexon
ftesën që "Italia Promotion" i ka bërë
për një audicion të një filmi që do të
realizohet për televizionin italian. Bjordi
e ka shprehur shumë herë dëshirën
për t‘u bërë aktor dhe kjo ka qenë një e
papritur e madhe për të.
Sori takohet me djalin
Një shaka për Sorin, një provokim që i
ka falur atij shumë kënaqësi. Gjatë gjithë
ditëve të qëndrimit në shtëpi, Qetsori e
ka shprehur hapur se kishte ardhur të
bënte lojë. Ka tentuar të bëjë strategji, të
bëjë aleanca dhe të gjitha i ka justifikuar
me qëllimin e fitores. Gjatë bisedave
brenda shtëpisë, Qetsori është shprehur
se në "Big Brother" ka marrë pjesë për
të realizuar ëndrrën e tij, ngritjen e një
restoranti. E kemi parë teksa gatuante
në shtëpi më shumë se cilido konkurrent
tjetër. Gjatë spektaklit të mbrëmshëm,
Vëllai i Madh kishte vendosur ta vinte
në provë, një shaka e cila mbartte me
vete edhe një surprizë për të. Arbana i ka
thënë Qetsorit të shkojë në restorant, që
është vendosur në dhomën aziatike. Ajo i
ka kërkuar atij të përgatisë disa aperitivë,
ndërsa shton se duhet të presë edhe disa
miq në restorantin e shtëpisë. Tre parodistët
e Vlorës, janë klientët e restorantit
të Sorit. Ndërsa ai u ka shërbyer pijet,
humoristët kanë bërë shaka me të duke
sjellë çaste të gëzueshme për djalin nga
Vlora. Më pas Arbana i ka treguar Sorit
se ka pasur edhe nga ata persona që nuk
kanë ardhur për të provuar restorantin e
Sorit në cilësinë e klientëve, por arsyet i
kanë shpjeguar në një klip. E para është
gjyshja e cila i ka lënë një videomesazh.
Ndërsa i dyti që ka kërkuar të mos jetë
në restorant si klient, por si kamerier ka
qenë një person tepër i veçantë për Sorin.
Arbana i ka kërkuar Sorit të hapi portën
e ta ftojë të hyjë brenda. Pas derës, Sori
gjen të birin të veshur si kamerier.
Bjordi dhe Adelajda, sa
e njohin njëri-tjetrin?
Një tjetër lojë interesante e menduar
prej Vëllait të Madh spektaklin e
mbrëmshëm ishte edhe "Loja e Kupidos"
e cila ishte menduar posaçërisht
për çiftin e shtëpisë, Bjordin e Adelajdën.
Gjatë kësaj loje publikut nga shtëpia,
por edhe atij në studio i është dhënë
mundësia të kuptojnë se sa e njohin
njëri-tjetrin Bjordi e Adela. Për ta, ishin
përshtatur dy dhoma rrëfimi. Adelajda
ka shkuar në dhomën e rrëfimit të
shtëpisë ku ishte vendosur poltroni i
bardhë, ndërsa Bjordi në dhomën e
improvizuar në zonën e akuariumit ku
ishte vendosur poltroni i zi. Ata nuk
e dëgjojnë njëri-tjetrin. "Big Brother"
kishte vendosur t‘u bënte disa pyetje,
një test ku të verifikoheshin njohjet
për njëri-tjetrin. Ata janë pyetur mbi
moshën, gatimin e preferuar, ditën
dhe momentin kur janë puthur për
herë të parë, si dhe si e imagjinonin
njëri-tjetrin jashtë shtëpisë së "Big
Brother". Adi e Sori janë përzgjedhur
për të gjykuar nëse përgjigjet kanë qenë
mirë, ndërsa Adelës dhe Bjordit u është
kërkuar të shkojnë në oborr ku kanë
gjetur një dhuratë, një zemër të ndarë
në mes. Detyra e tyre ishte të bashkonin
pjesët e kësaj zemre.
Adelajda takon vëllain
Për të vetmen vajzë të mbetur në
shtëpi, "Big Brother" ka menduar gjithashtu
një surprizë. Arbana ka shpjeguar
për publikun se Adela ka përjetuar
momente të ndryshme në shtëpi. Kanë
qenë momente të bukura, por edhe të
trishta. Arbana ka komentuar se Adela
është një vajzë e cila ka shkaktuar shumë
diskutime. Shpeshherë edhe është vënë
në lojë, por ajo që e bën atë më të ndjekur
prej publikut është fakti se e ka jetuar
aventurën e saj në "Big Brother" pa u
fshehur. Ka treguar vlerat, kokëfortësinë
e saj, por edhe dëshirën për të mbërritur
në finale, duke arritur të kthehej në një
protagoniste të vërtetë. Gjatë spektaklit
të së martës, të gjithë kanë dëgjuar letrën
të cilën Adela ia drejtonte të atit, ndërsa
shton se në të vërtetë, ajo çka e bren Adelën
është pikërisht aprovimi i tij. Arbana
thotë se një prej gjërave që e lidh me të
atin është pikërisht e kënduara. Për këtë
arsye ajo i kërkon Adelajdës të dalë nga
shtëpia për të shkuar drejt tunelit e të
përjetojë surprizën që e pret jashtë. Kur
Adela ndodhet në tunel, nis muzika e
këngës ndërsa ka edhe balerinë të cilët
e shoqërojnë duke kërcyer. Adela nis
të këndojë. Në monitor shfaqet teksti i
këngës e nga fundi i tunelit duket hija e
një personi i cili shkon drejt Adelës. Ai
mbante një mikrofon në dorë dhe një
maskë në fytyrë. Pasi afrohet te Adela ai
heq maskën e përfundojnë këngën së
bashku me vëllain.
Adi takon mikun e ngushtë
Publiku e di se edhe Adi ka një të
kaluar të vështirë. Ai ia ka dalë mbanë
të largohej prej problemeve me drogën e
me burgun. Ka treguar se është një djalë
me vlera e me shumë kurajë. Brenda
shtëpisë së "Big Brother" ka treguar se
pavarësisht moshës, është përballur
mjaft mirë me lojën e me konkurrentët
e tjerë. Arbana ka treguar në studio se
Adi ka një mik të ngushtë me të cilin ka
ndarë shumë gëzime e hidhërime. Por ai
jeton larg e për këtë arsye nuk janë parë
prej vitesh. Arbana i ka kërkuar Adit të
shkojë në oborr ku gjen afër projektorit
dy instrumentistë. Në projektor shikon
një fotografi të rrethuar me lule. Fytyra
nuk duket qartë. Arbana e pyet se kush
mund të jetë, ndërsa instrumentistët
ekzekutojnë një muzikë e cila Adit diçka
i kujton. Miku i Adit hyn në oborr. Të dy
përqafohen me mall.

Qetsor Ferunaj

«Mendoj se ia kam arritur të shndërrohem në hero
për djalin tim. Kam punuar dhe jam përpjekur
shumë për t‘ia arritur kësaj që kam, deklaruar. Kam
dashur të dëshmoj se vullneti, puna dhe përkushtimi
janë të vetmet forma për të ecur përpara e për të arritur
qëllimet"
Mosha: 33 vjeç
Vendlindja: Dukat
Vendbanimi: Orikum, Vlorë
Shenja të veçanta: një code bar, tatuazh në krah. Më
vonë tek code bar-i do vendosë datëlindjet e fëmijëve. Ka
dhe një shenjë në ballë, si pasojë e një aksidenti në Itali.
Arsimi: I lartë
Ka hyrë në "Big Brother" sepse: I duheshin para për
biznesin e tij, një hotel që ka nevojë për disa restaurime.
Karakteristika: Djalë i shkathët dhe me humor. I shoqërueshëm
dhe i paparashikueshëm. Ka jetuar 3 vjet
në Itali. I zgjuar dhe dinak, i aftë të përshtatet me këdo.
Intrigant. Nuk punon më si inspektor kulture prej pak
kohësh. Pëlqen aktorin Anthony Hopkins dhe shkrimtarin
Viktor Hygo. Ka punuar si ndihmëskuzhinier në Itali.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›