Tragjedia, avioni francez me 228 vetë zhduket mbi oqean
Një avion pasagjerësh, i cili do të mbërrinte në Paris i nisur nga Rio de Janeiro, është zhdukur në një zonë mbi Atlantik dje në mëngjes pas raportimit të një defekti teknik pak sekonda para se të zhdukej. Në avionin e “Air France” ishin 228 vetë në bord. Sipas ekspertëve francezë, mendohet se avioni është zhdukur mbi Atlantik si rezultat i goditjes prej një rrufeje. “Airbus SAS A330” ka dërguar një mesazh automatik katër orë pasi u largua nga Rio De Zhaneiro. Avioni ishte mbi oqean kur u zhduk, duke vështirësuar kërkimet nga avionë të tjerë francezë dhe brazilianë. “Air France” ka ngritur një Qendër për Krizën për të afërmit e udhëtarëve, të cilët kanë për orë të tëra në aeroportin “Charles de Gaulle”, i cili ishte edhe në axhendën e presidentit Sarkozi për të kryer një vizitë pas tragjedisë. Avioni ishte zhdukur nga radarët ushtarakë, por edhe ata civilë. Ministri francez përgjegjës për transportin, Jean Louis Borloo, përjashtoi mundësinë e rrëmbimit të avionit. Avioni AF 447 u largua nga Rio në orën 19:00 sipas orës lokale, të dielën. Ai kishte në bord 216 pasagjerë dhe 12 persona ekuipazh, midis tyre 3 pilotë. Mes pasagjerëve kishte një të sapolindur, shtatë fëmijë, 82 gra dhe 126 burra. Detajet e kombësive të pasagjerëve nuk janë liruar menjëherë, por besohet se janë tre italianë, disa britanikë, 60 brazilianë, mbi 40 francezë, 25 gjermanë, 3 marokenë, 2 libanezë dhe 2 portugezë. Avioni pritej të mbërrinte në Paris në orën 11:15 sipas orës lokale. Parashikohet se ai është zhdukur rreth 300 km në verilindje të qytetit brazilian, Natal. Zëdhënësi i forcës ajrore braziliane, kolonel Henry Munhoz tha se avioni nuk ishte kapur nga radarët në ishujt e “Cape Verde” dhe konfirmoi se forcat ajrore braziliane ishin nisur nga Fernando de Noronha për të kërkuar për avionin. Drejtuesi i hetimeve, Douglas Ferreira Machando tha se, “kjo do të jetë një histori e gjatë dhe e dhimbshme. Kutia e zezë do të jetë në fund të oqeanit”. Presidenti francez, Nikola Sarkozi, ka shprehur shqetësim sapo ka mësuar për aksidentin me avionin e nisur nga aeroporti francez dhe i ka kërkuar qeverisë dhe institucioneve të tjera që të bëjnë ç’është e mundur për ta gjetur atë. Avioni ka rënë në oqean dhe nuk ka asnjë shpresë që ndonjë nga pasagjerët apo ekuipazhi të kenë mbijetuar.