"Ben Qimja" në Gjykatën e Lartë për "arrestin"
TIRANE - Arben Isufaj, biznesmeni fierak i arrestuar për një vrasje të vitit 2002 në kryeqytet do të gjykohet në Gjykatën e Lartë më 5 nëntor të këtij viti. Ky institucion pas hedhjes së shortit dhe shqyrtimit të kërkesës së të pandehurit ka caktuar se masa e sigurisë për Isufajn, do të zhvillohet mesditën e 5 nëntorit. Biznesmeni i arrestuar në fillim të muajit qershor në kryeqytet pretendon, se është i pafajshëm dhe se ndodhet në qeli në bazë të një akti ekspertimi për të cilin, fillimisht, Gjykata e Tiranës dhe më pas Apeli i kryeqytetit kanë vendosur pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e tij. Po me të njëjtin argument Gjykata e Lartë ka vendosur më parë heqjen e masës së sigurisë për Isufajn. Tashmë, në kërkesën e pranuar nga Gjykata e Tiranës për mbylljen në qeli të biznesmenit Isufaj, që njihet si "Ben Qimja", organi i akuzës ka argumentuar në bazë të një akti ekspertimi të mbërritur nga Londra sipas kërkesës së policisë shqiptare. Në fakt ky akt ekspertimi që i përket vitit 2007 është i njëjtë me atë të cilin e ka kundërshtuar Gjykata e Tiranës dhe për pasojë është argumentuar se nuk mund të pranohet. Ndërkohë, organi i akuzës pretendon se ka në dorë një tjetër ekspertizë të kryer në Londër, për llogari të policisë shqiptare, kurse mbrojtja i është drejtuar ambasadës angleze për të verifikuar vlefshmërinë e tij dhe nëse është kryer në mënyrë institucionale. Sipas organit të akuzës së kryeqytetit. e cila ka administruar provat e dërguara në këtë institucion nga policia, Isufaj akuzohet të jetë bashkautor në vrasjen e të riut Piro Koçiu, ndodhur në Tiranë më 12 gusht 2002. Motivi i krimit sipas policisë mendohet të jetë një hasmëri e mëparshme midis dy fiseve. Pas krimit ekspertët e policisë gjetën në vendngjarje një pistoletë tip "Zastava" e përdorur nga ekzekutorët, në të cilën ndodhej një pjesë e një gjurme gishti, që mendohet se i përket Isufajt. Po ndryshe nga kjo gjatë gjykimit në Gjykatën e Tiranës katër ekspertiza të njëpasnjëshme e rrëzuan këtë provë të prokurorisë, çka detyroi trupin gjykues të kthente dosjen për rihetim në prokurori, ndërsa iu hoq masa e sigurisë Isufajt. Në shkurt të këtij viti Gjykata e Tiranës vendosi sërish masën e sigurisë "burg pa afat" në mungesë për Isufajn, por Gjykata e Lartë e rrëzoi atë me argumentin se gjithçka ishte mbështetur në prova, të cilat dy shkallët e gjyqësorit i kishin nxjerrë si të pavlefshme. fa.ma.