E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHISH kurse për agjentët si M16 e CIA

 

Agjentët e SHISH përgatiten në bazë të kurseve me programe të njëjta, si ato të agjencive të fuqishme të zbulimit, CIA në SHBA apo M16 në Angli. Me anë të një projektvendimi të pak ditëve më parë qeveria pohon se ka vendosur, që nëpërmjet përmirësimit të kushteve të trajnimit të rrisë nivelin e përgatitjes dhe formimit bazë të inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve. Por nëse kursanti që mbaron trajnimin nuk paraqitet në detyrë është i detyruar të paguajë shpenzimet e plota që janë bërë për të. Kështu, në nenin 1 të projektvendimit, Këshilli i Ministrave vendos që në funksion të sigurisë kombëtare, në institutin e Shërbimit Informativ të organizohen kurse për përgatitjen informative dhe formimin bazë profesional të punonjësve të SHISH, si dhe kurse të kualifikimit e specializimit të tyre. Ndërsa lloji dhe kohëzgjatja e kurseve mbetet të përcaktohet me urdhër të kreut të shërbimit sekret. Në relacionin e zëvendëskryeministrit Genc Pollo, që shoqëron projektvendimin thuhet se: "Misioni i institutit është përgatitja dhe formimi bazë i inspektorëve dhe i ndihmësinspektorëve të rinj të linjës informative, organizimi i trajnimit bazë të tyre, kryerja e kurseve të kualifikimit dhe specializimit të punonjësve të SHISH dhe shërbimeve të tjera shqiptare, të përcaktuara në ligjet organike të tyre në funksion të sigurisë kombëtare". Më tej pohohet se SHISH nëpërmjet institutit ka arritur të realizojë misionin e vet, duke përgatitur e formuar mbi 220 specialistë të linjës informative me njohuritë bazë informative, nëpërmjet 11 kurseve afatgjata. Po kështu, në përmbushje të kërkesave të shërbimeve të brendshme, instituti i SHISH ka përgatitur dhe trajnuar edhe punonjës të Shërbimit Informativ të kampe-burgjeve. "Ndërsa përmes një bashkëpunimi të vazhdueshëm me shërbimet partnere janë realizuar rreth 30 trajnime e specializime dy dhe tre javore për 400 inspektorë të SHISH, SHIU-t, Policisë, Prokurorisë, Doganave, Tatimeve, etj", thuhet në relacionin e zëvendëskryeministrit, i cili gjithashtu pohon se ky projektvendim nuk kërkon fonde shtesë, ndërsa është përmendur si i rëndësishëm fakti, se për këtë veprimtari janë në gjendje funksionale mjediset e mësimdhënies dhe akomodimit, madje në nivele bashkëkohore. "Për shkak të veçorive të punës, të natyrës dhe kërkesave të veçanta të veprimtarisë informative, për ruajtjen e sekretit dhe identitetit të pjesëmarrësve në kurse specifike të llojit të kurseve të vendit të zhvillimit të tyre, të formave, mënyrave dhe teknikave informative, të specifikës e të detyrimit të dhënies së leksioneve e të shfrytëzimit të literaturës profesionale, vetëm brenda auditorëve të SHISH, nevojës së ushtrimit në praktikë, në kushte reale, të edukimit e formimit të kursantëve me shprehi dhe karakteristika specifike, etj., është i domosdoshëm trajtimi me cikël të pandërprerë 12 ose 24 orësh i kursantëve, në mjedise të mbyllura", pohohet në projektvendimin qeveritar. Sipas kësaj, për rrjedhojë kursantët përveç pagës, pa shtesat e ndryshme në varësi të llojit të kursit dhe të vendit të organizimit të kurseve, trajtohen me tri vakte ushqim në 24 orë dhe fjetje ose vetëm me një vakt në 12 orë. Fondet bëhet e ditur se janë miratuar nga qeveria në buxhetin institutit.

Projektvendimi

Normimi me akte nënligjore i statusit të punonjësve të SHISH për përgatitjen dhe trajnimin e tyre.
Organizimi i kurseve për lloje e specifika sipas nevojave të SHISH e shërbimeve të tjera.
Trajtimin financiar gjatë kohës së kursit të së gjithë niveleve.
Normimin e trajtimit ushqimor dhe fjetjes së kursantëve sipas specifikës së kursit.
Pagesën e punonjësve të jashtëm, që angazhohen në mësimdhënie.

Dietat për kursantët
Jashtë qendrës së banimit ushqim pa pagesë në kuotën 500 lekë dieta
Brenda qendrës së banimit, një vakt ushqim 200 lekë kursanti.
Nëse nuk garantohet ushqimi dieta ditorë shkon në 900 lekë dita.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›