Fshati me 6500 banorë, 1 javë pa ujë në shtëpi
FIER - Prej 17 vitesh banorët e fshatit Mbyet në rrethin e Fierit pinë ujë të ndotur, pasi në çezmat e tyre ai mbërrin i përzier me mbeturina. Ky fshat është rreth 2.5 km larg qytetit të Fierit dhe siç shprehen banorët është i lënë pas dore nga pushteti vendor. Banorët pohojnë se ky ujë nuk mund të përdoret as për higjienë familjare, as për të larë rrobat e jo më për ujë të pijshëm. Por, si të mos mjaftonin këto probleme, prej 1 jave u është ndërprerë furnizimi dhe me këtë ujë. "Ky ujë na shërbente vetëm për të ujitur bahçet se ne nuk mund ta përdorim për të pirë, por e blemë me para atë. Jemi rreth 6500 banorë që kanosen nga rreziku çdo ditë e më shumë por nuk e ka vënë njeri ujin në zjarr. Na vijnë dhe na kërkojnë nga drejtoria e ujësjellësit, që të lidhim kontratën, por ku ta gjejmë ne justifikimin. Unë paguaja në rast se më vjen ujë, në të kundërt nuk jap asnjë lek", thotë një prej banorëve. Vetë ata janë të gatshëm të paguajnë vetëm për të siguruar ujin e pastër në shtëpitë e tyre. "Ne deri tani jemi furnizuar nga ky pus që ka hapur komuna përpara pak kohësh dhe kemi pirë ujë, por sot e kësaj dite nuk është bërë asnjë analizë nëse rezulton i pijshëm apo jo. Jemi alarmuar kur kemi parë me sytë tanë krimba që dalin nga çezma. Po na sëmuren fëmijët nga ndotja e ujit". Përballë këtij fakti drejtori i ndërmarrjes së ujësjellësit Agim Plepi pohon se fshati Mbyet është jashtë zonës së shërbimit dhe se ata si ndërmarrje nuk mbajnë asnjë përgjegjësi ligjore. "Ne kërkojmë të lidhim kontrata me ta dhe pastaj t'i furnizojmë me ujë të pijshëm. Kërkojmë gjithashtu hartimin e një kontrate ligjore sipas rregullave dhe pastaj do të mbajmë përgjegjësi për furnizimin me ujë të pijshëm", thotë Plepi. m.r