Përplaset nga makina, vdes kalimtari
SHKODER - Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës. Një kalimtar humbi jetën pasi u përplas nga një makinë në aksin rrugor, që lidh lagjen Parrucë me atë Xhabije. Fiqiret Zaganjori, 60 vjeç ka qenë duke kaluar rrugën kur është përplasur nga një makinë, duke marrë plagë të shumta në pjesën e kokës. Vetë drejtuesi i mjetit ka bërë transportimin e të lënduarit drejt spitalit të Shkodrës, për t'i dhënë ndihmën e parë. Për shkak të plagëve të marra, Zaganjori ka humbur jetën brenda pak minutash. Shoferi i është drejtuar policisë, për të nisur hetimet për ngjarjen. Vetëm gjatë javës së fundit në rrethin e Shkodrës janë shënuar dy viktima nga aksidentet automobilistike dhe dy të plagosur rëndë. Shkak kryesor i aksidenteve ka qenë shpejtësia e drejtuesve të mjeteve, si dhe pakujdesia e tyre gjatë lëvizjes në akset nacionale. r.d