Ngujim në të kaluarën
Ironia është se përgjegjësit për këto vuajtje, ose pasardhësit e tyre, sot thonë se ata kishin vepruar sipas ligjeve të kohës, duke pranuar tërthorazi se ajo ishte koha e shtazërisë njerëzore dhe ata ishin udhëhequr nga instinkte. Por vetvetiu lind edhe pyetja: Përse ish-kampet naziste bota i ktheu në qendra përkujtimore, ndërsa në Shqipëri i hapet rruga përkujtimit të përgjegjësve kryesorë për krime nga më të rëndat kundër njerëzimit në historinë shqiptare? Njeriut i uhet të jetë antikomunist fanatik për të ngritur pyetje të tilla, apo njerëzit duhet të kujtohen të pyesin vetëm kur mizoritë të ndodhin përsëri?
Para se fleta të kthehet, ajo duhet lexuar, pasi kështu e kaluara mund t’i shërbejë së tashmes, njësoj si detyra për të kujtuar, duhet t’i shërbejë drejtësisë. “Një perde duhet hedhur mbi mizoritë e së kaluarës”, tha Winston Curchill pak pas Luftës së Dytë Botërore. Rreth së njëjtës periudhë, filozofi amerikan Xhorxh Santayana lëshoi paralajmërimin, tashmë të njohur, se “ata që harrojnë të kaluarën, dënohen ta përsërisin”. Dhe këto dy thënie janë të kundërta vetëm në dukje, sepse për viktimat harresa është një akt zemergjerësie dhe mesazh besimi në të ardhmen, ndërsa për autorët e mizorive harresa është mohim i përgjegjesisë dhe mbyllje në të kaluarën.
Astrit LULUSHI (SHBA)
1.
Një vizitë në ish-burgjet dhe ish-kampet e përqëndrimit në Shqipëri, do të mjaftonte që njeriu të njohë atë që nuk ka ditur mbi R.P.S.Sh-në, siç vetëquhej vendi deri 18 vjet më parë. Merr shembull burgun e Burrelit që për shqiptarët, gjatë komunizmit, ishte po aq famëkeq sa Bukhenvaldi për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë; ose Sigurimin që e administronte, i frikshëm dhe i urryer njësoj si Gestapoja.
Libra kujtimesh janë shkruar nga ish të burgosur politikë dhe të afërm të tyre rreth vuajtjeve, por vetëm nga një vizitë njeriu mund të njihet me shumë gjëra që nuk i di dhe as që mund t’i konceptojë me të treguar apo lexuar. Aty ndodhen qelitë ku për javë e muaj, një i burgosur mbahej 19 deri 24 orë pa bukë, pa ujë, në baltë, duke përjetuar rrahje e tortura, vetëm sepse nuk ishte dakord me dogmën zyrtare, ose sepse ishte denoncuar nga ndonjë i afërm, shok a fqinj, si shkëmbim që regjimi t’i shikonte ata me sy të mirë.
2.
Burgje e kampe të tilla ekzistonin në mbarë Shqipërinë. Ato ngjallnin frikë e tmerr në zemrën e çdo njeriu, që mendonte ndryshe.
Dhe ironia është se përgjegjësit për këto vuajtje, ose pasardhësit e tyre, sot thonë se ata kishin vepruar sipas ligjeve të kohës, duke pranuar tërthorazi se ajo ishte koha e shtazërisë njerëzore dhe ata ishin udhëhequr nga instinkte.
Por vetvetiu lind edhe pyetja: Përse ish-kampet naziste bota i ktheu në qendra përkujtimore, ndërsa në Shqipëri i hapet rruga përkujtimit të përgjegjësve kryesorë për krime nga më të rëndat kundër njerëzimit në historinë shqiptare? Njeriut i uhet të jetë antikomunist fanatik për të ngritur pyetje të tilla, apo njerëzit duhet të kujtohen të pyesin vetëm kur mizoritë të ndodhin përsëri?
3.
Para se fleta të kthehet, ajo duhet lexuar, pasi kështu e kaluara mund t’i shërbejë së tashmes, njësoj si detyra për të kujtuar, duhet t’i shërbejë drejtësisë.
“Një perde duhet hedhur mbi mizoritë e së kaluarës”, tha Winston Curchill pak pas Luftës së Dytë Botërore. Rreth së njëjtës periudhë, filozofi amerikan Xhorxh Santayana lëshoi paralajmërimin, tashmë të njohur, se “ata që harrojnë të kaluarën, dënohen ta përsërisin”.
Dhe këto dy thënie janë të kundërta vetëm në dukje, sepse për viktimat harresa është një akt zemergjerësie dhe mesazh besimi në të ardhmen, ndërsa për autorët e mizorive harresa është mohim i përgjegjesisë dhe mbyllje në të kaluarën.
19 Tetor 2008