E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani lëshon satelit në orbitë me raketahedhës, Perëndimi në alarm

 

Irani ka testuar dje me sukses një nga raketat e prodhuara prej tij, duke ngritur shqetësime serioze për NATO-n, Pentagonin dhe vendet e Bashkimit Evropian. Televizioni shtetëror iranian transmetoi pamje të lëshimit gjatë natës të raketës, për të cilën thotë se lëshoi në orbitë satelitin Omid. Ky hap u bë në ditën e festimit të 30-vjetorit të revolucionit islamik në Iran. Sipas komenteve të televizionit shtetëror, hedhja me sukses e kësaj rakete dhe si pasojë satelitit, ishte një tjetër arritje për shkencëtarët iranianë, të cilët gjatë gjithë kohës kanë punuar nën peshën e sanksioneve. Lideri iranian, Mahmoud Ahmadinexhad tha se ky satelit do të shpërndante monoteizmin, paqen dhe drejtësinë. Ai i hodhi poshtë akuzat e vendeve perëndimore, se me teknologji të tilla Irani do të ishte në gjendje t’i sulmonte vendet e tyre apo aleatët e Perëndimit në rajon, duke provokuar luftëra në botë. “Teknologjia e Iranit është ‘qiellore’”, tha lideri iranian. Ashtu siç pritej, hapi i hedhur nga Teherani alarmoi vendet Perëndimore me shqetësimin, se kjo teknologji mund të përdoret për të prodhuar raketa me rreze të gjatë veprimi që në një të ardhme mund të pajisen edhe me mbushje bërthamore. Ndërsa nga ana tjetër Irani akuzon vendet e Perëndimit se ndaj tij po veprohet me standarde të dyfishta, pasi vendi po zhvillon një teknologji, e cila është e përhapur në shumë vende të tjera, por ato nuk sulmohen si Teherani. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Ud tha se “SHBA është e shqetësuar për hedhjen e satelitit, pasi ai mund të jetë para-kursori i zhvillimit të raketave balistike”, duke shtuar se “Ky është një shqetësim shumë i madh për ne”. Ud kujtoi se Këshilli i Sigurimit ka një rezolutë që i ndalon Iranit aktivitete raketahedhëse. Për këtë çështje do të ketë takime mes sekretares amerikane të Shtetit Hilari Klinton, ministrit të Jashtëm britanik, David Miliband dhe ministrit të Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›