E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ben komisari” u vra nga pronari i lokalit

20/05/2005  Arrestohet Dritan Bilbili shpallet në kërkim Ardian Laze

Dy “menaxherëve” të lokalit të lojërave të fatit duket se jo rrallë herë i ishin ankuar punonjësit e tij, se “Ben komisari” nuk pranonte të paguante lekët e lojërave që bënte. Përveçse nuk paguante paratë, i arrestuari ka dëshmuar, se, herëpashere, viktima Hoxha ka kërcënuar shumë seriozisht personelin

LUSHNJE – Këmbëngulja prej të forti, për të mos paguar lekët e lojërave që luante, duket se i ka kushtuar kokën, dy ditë më parë Arben Hoxhës. Pas arrestimit të njërit prej vrasësve të tij, Dritan Bilbilit, pronar i barit, ku ka ndodhur vrasja, ky të paktën ka qenë motivi kryesor, që ka dalë në pohimin e 30-vjeçarit për vrasjen e kryer prej tij, në bashkëpunim me shtetasin Ardian Laze.

Dritan Bilbili është arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytet, pas një aksioni të suksesshëm të policisë së Tiranës dhe asaj lushnjare. I akuzuari si bashkëpunëtor i tij, Laze, vazhdon të kërkohet nga policia.

Ndërkohë, Arben Hoxha, i njohur me emrin “Ben komisari”, është përcjellë dje për në banesën e fundit.

Motivi

Arben Hoxha, 41 vjeç, shkonte jo rrallë herë për të luajtur në lojërat e fatit, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”. Lokali “Xheal” ka qenë i marrë me qira nga Ardian Laze, 38 vjeç, ndërsa Dritan Bilbili njihej si administratori i tij.

Dy “menaxherëve” të lokalit të lojërave të fatit duket se jo rrallë herë i ishin ankuar punonjësit e tij se “Ben komisari” nuk pranonte të paguante lekët e lojërave që bënte. Përveçse nuk paguante paratë, i arrestuari ka dëshmuar se, herëpashere, viktima Hoxha ka kërcënuar shumë seriozisht personelin.

Një gjendje e tillë është bërë e papërballueshme për Bilbilin dhe Lazen, të cilët e lanë të vdekur në vend Arben Hoxhën, djalin Isufit, e njërit për ish-komisarëve të policisë së qytetit të Lushnjës, në periudhën e monizmit.

Ngjarja

Ekzekutimi i 41-vjeçarit Hoxha ndodhi rreth orës 09.00 të paradites, të dy ditëve më parë. Ai sapo kishte ardhur nga Tirana kur dhe u ekzekutua me 8 plumba.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë lokale, të cilat nuk e kanë patur të vështirë që të bëjnë identifikimin e kufomës, pasi ai njihej shumë mirë jo vetëm nga banorët e zonës, por dhe nga policia, e cila e konsideronte si kontigjent të saj.

Motivet e vrasjes së Arben Hoxhës fillimisht ishin jo pak, pasi viktima e ngjarjes së të mërkurës dyshohet se ka qenë i përfshirë dhe në trafiqe të ndryshme të paligjshme si dhe ka qenë i akuzuar për një vrasje, për të cilën fitoi pafajësinë.

Dje, gjithsesi, pas arrestimit të Dritan Bilbilit dhe shpalljes në kërkim për shtetasin Ardian Laze, materialet për këtë çështje i janë dërguar Prokurorisë së rrethit të Fierit për hetime të mëtjeshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›