Bën thirrje për bojkot

Dardan Rexhepi është zhgënjyer tej mase me ngjarjet e fundit në futbollin suedez. Ndërprerjet e lojërave janë bërë tashmë pjesë e futbollist në Allsvenskan, pasi shikuesit hedhin fishekzjarrë nga tribunat. Kjo ndodhi edhe fundjavën që shkoi në ndeshjen Malmo-Djurgarden, e cila u ndërpre në minutën e 11-të.
Deri në atë moment, vendësit po udhëhiqnin 1:0 dhe sulmuesi kosovar mund të bëhej hero, pasi që e shënoi golin e avantazhit në minutën e pestë. Kjo ishte hera e dytë që Malmos iu ndërpre ndeshja.
19 vjeçari kërkon që këto ngjarje të ndërpriten sa më shpejt të jetë e mundur. Ai kërkon të organizohet një bojkot nga klubet ose ta shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj dhunës në rritje e sipër në stadiumet suedeze.
“Kjo duhet të përfundojë. Të gjitha klubet duhet ta zgjedhin një rrugë. Kam biseduar edhe për bojkot. Përse jo? Nuk mund t’ua lejojmë disa idiotëve në tribuna që ta prishin futbollin tonë”, deklaroi Rexhepi pas ndeshjes.
“Jam i zhgënjyer dhe i mllefosur. Mund ta imagjinoj se shumë spektatorë janë të zhgënjyer për faktin se kishin ardhur në stadium për të shikuar futboll. Nuk mund të vazhdojmë me punën tonë, të përgatitemi maksimalisht dhe në fund të luajmë 10 minuta. Ne dëshirojmë ta paraqesim në fushë punën që e kemi bërë dhe ta kërkojmë atë që e duam. Këtë e dëshirojnë të gjitha klubet”, vazhdoi ai.
Rexhepi e pranon se ka biseduar me shokët e skuadrës për një formë manifestimi kundër dhunës në futbollin suedez qysh pas ndeshjes me Helsingborg. “Pas kësaj ndeshjeje ishte vënë paksa qetësia, por tash po ndodh disa herë dhe ndiej se nuk ka një alternativë. Ndoshta refuzimi i zhvillimit të një xhiroje nga të gjitha klubet do ta ndalte dhunën”, shtoi ai.
Rexhepi thotë se Suedia duhet ta mbrojë gjeneratën e ardhshme të futbollit, pasi që të rinjtë do të marrin mësim nga lojtarët aktualë për veprimet dhe mendimet e tyre. Ai ndien keqardhje për familjarët që shkojnë në stadium për ta shijuar një ndeshje futbolli, e që në fund kthehen në shtëpi të zhgënjyer.
“U kërkoj falje të gjithë atyre familjeve që kthehen në shtëpi të mllefosur dhe të zhgënjyer. Kjo që po ndodh sot nuk i përket futbollit suedez”, nënvizoi ai.
Rexhepi është i vetëdijshëm se Malmo mund ta zhvillojë një ndeshje pa praninë e spektatorëve, si dënim për ndërprerjen e ndeshjes me Djurgarden. Sulmuesi kosovar thotë se ky do të ishte një mëkat, pasi që loja e futbollit luhet për shikues.
Kundër Rangers në Glasgow, në fazën e tretë të Ligës së Kampionëve, të martën e kaluar ai përfundoi në bankinë. Por, Rexhepi dëshiron të luajë nga fillimi të mërkurën në ndeshjen e kthimit. “Duhet të përpiqemi të përgatitemi sa më mirë për një festë të futbollit dhe t’i lëmë anash ato që i kemi në mendje sot”, përfundoi Rexhepi.