Spanja U-19, kampione e Evropës

Spanja është shpallur kampione e Evropës në Kampionatin evropian U-19. Në finalen e zhvilluar në Concordia të Rumanisë, ‘La Rojita’ e mposhti Republikën Çeke me rezultat 3:2 pas lojës shtesë.
Ky ishte titulli i pestë i kampionit evropian për këtë grupmoshë iberike, e cila megjithatë vuajti shumë para se të triumfonte.
Ekipi i selektorit Melendez e ka pasur në dorë posedimin e topit dhe ka dominuar sa i përket lojës, sidomos në lojën shtesë.
Mirëpo, spanjollët e kanë parë veten në disavantazh, kur për çekët shënoi Krejci. Pardo e barazoi rezultatin, kurse Lacha i kaloi çekët në avantazh në pjesën e parë të lojës shtesë.
Mirëpo, Alcacer realizoi dygolësh historik në lojën shtesë, duke ia siguruar ‘Stuhisë së Kuqe” titullin e kampionit. Të rinjtë spanjollë kanë arritur të martën në Madrid bashkë me kupë.
Spanja e vazhdoi dominimin global në futboll. Pasi e fitoi titullin e kampionit të botës dhe Evropës me ekipin senior, spanjollët e fituan Evropianin U-21 muajin e kaluar, ndërsa tash Evropianin U-19.