E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presin edhe pak

Futbollistët e Lirisë do ta presin deri në mesjavë kryesinë e klubit, e cila u ka premtuar për shlyerjen e gjysmës së borxhit. Nëse kjo nuk ndodh, kapiteni Rafet Mullallari paralajmëron se, bashkë me disa lojtarë të rëndësishëm, do ta braktisin klubin prizrenas. Nga Moral Pozhegu më 02 gusht 2011 në ora 13:31

Futbollistët e mbetur të Lirisë kanë vendosur të presin edhe pak, para se të vendosin për ta braktisur përfundimisht apo jo ekipin prizrenas. Kryesia e klubit ua ka borxh atyre pesë rroga. Gjysma e këtij borxhi u ishte premtuar se do të shlyhej të shtunën që shkoi, por kjo nuk ka ndodhur.

Udhëheqësit e klubit kanë premtuar se do ta kryejnë një pjesë të obligimeve ndaj lojtarëve më së largu të mërkurën. Pasi kanë pritur deri tash, futbollistët nuk dëshirojnë të koriten për pak dhe kanë vendosur të presin deri në mesjavë.

“Na thanë se do të na kthejnë gjysmën e borxhit të shtunën, por kishin probleme me bankën. Tash na kanë thënë se të martën, maksimum të mërkurën, do na japin gjysmën e parave. Mbasi kemi pritur deri tash, po presim edhe pak. Kemi kaluar vite të mira te Liria, kështu që po presim deri të mërkurën”, deklaroi për Express kapiteni i Lirisë, Rafet Mullallari.

Bashkë me të në pritje të rrogave janë edhe Erdogan Brando, Asman Memaj, Alban Guci, Ramadan Kryeziu dhe disa lojtarë të rinj. Nëse nuk kryhen obligimet deri të mërkurën, kapiteni i bardhezinjve paralajmëron largimin e këtyre lojtarëve.

“Nëse nuk na kryejnë obligimet, lojtarët mund të largohen. Unë personalisht nuk e kam ndërmend të pres më shumë, edhe pse jam i lidhur shumë me Lirinë. Do t’i konsideroj mundësitë tjera. Mund të shkoj në Ballkan, pasi kam ofertë nga ky klub”, vazhdoi mesfushori Mullallari.

Për situatën e palakmueshme në klub është i vetëdijshëm edhe trajneri Behajdin Gjinali. Ai shpreson që kryesia ta gjejë një zgjidhje dhe t’i mbajë të paktën këta lojtarë.

“Deri tash na janë larguar gjashtë futbollistë. Por, shumë shpejt kryesia do të ulet dhe të bisedojë me lojtarët, që kanë mbetur, rreth kontratave. Momentalisht nuk mund ta ndalim asnjë lojtar. Po punojmë me lojtarë të rinj, me shpresë që edhe lojtarët me përvojë të jenë pjesë e jona sezonin e ardhshëm”, tha Gjinali.

Deri tash nga Liria janë larguar gjashtë futbollistëve: Roland Duraku, Debatik Çarkaxhija, Alban Dylazeka, Fatih Karahoda, Luigj Buqaj e Agron Skeraj, të cilët iu bashkuan Vëllaznimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›