Bënçë, qelia e Nanos kthehet në dhomë izolimi
Fatos Mahmutaj
Qelia ku ish-kryeministri Fatos Nano kaloi rreth katër vite burg, në Bënçë të Tepelenës, është kthyer në dhomë izolimi. Është qelia e parë majtas në katin e parë të burgut dhe e vetmja në këtë institucion, në të cilën nuk qëndrojnë përgjithmonë të burgosurit, por ata që bëjnë gabime gjatë vuajtjes së dënimit. Dikur të burgosurit e konsideronin qeli "Vip", pasi ishte e vetmja që kishte televizor dhe qëndronte vetëm një i burgosur në të. Tashmë është kthyer në "tmerr", për ata të dënuar apo të paraburgosur që nuk sillen mirë në qeli dhe si ndëshkim vuajnë në të dënime që nisin nga disa orë dhe zgjasin deri në 15 ditë. E mobiluar shumë thjesht. Në të gjendet vetëm një krevat druri me dy batanije leshi. Në fund të saj, ku ndodhet dritarja e fortifikuar me zgarë hekurash, është ndarë hapësira për të vendosur një WC dhe një lavaman. Vetëm kaq. Nuk i ka mbetur më asnjë shenjë nga koha kur aty ka qëndruar Fatos Nano, veç numrit "5". Kjo dhomë dhe ajo që mban numrin "1", që ndodhet përballë saj, janë disi më të vogla dhe të ndara nga të tjerat. Para dyerve të qelive 5 dhe 1 ndodhet një zgarë hekurash, e cila bën ndarjen e tyre dhe pengon çfarëdolloj kontakti fizik mes të burgosurve nga të dy anët e korridorit. Para derës së qelisë së Nanos ndodhet edhe vendshërbimi për gardianin që kontrollon katin e parë të burgut, si dhe oficeri i shërbimit të regjimit të brendshëm. Po kështu, përpara derës së qelisë së Nanos, në mur ndodhet një kasafortë e blinduar, në të cilën mbahen çelësat e qelive të të gjithë katit të parë të burgut, me përjashtim të dyerve të jashtme, çelësat e të cilave mbahen nga efektivët që shërbejnë jashtë sektorit të qelive. Ish-kreu i socialistëve qëndroi aty deri në fillim të marsit 1997, kur u transportua me helikopter për në kryeqytet. Punonjësit e vjetër të burgut tregojnë se në këtë qeli Nano qëndronte 23 orë në ditë. Vetëm një orë, zakonisht gjatë paradites, ai dilte së bashku me të burgosurit e tjerë në fushën e ajrimit që ndodhej poshtë dritares së tij. Pas kësaj, atij i duhej të rikthehej sërish në qelinë e tij ku i duhej të shtynte ditët duke lexuar apo shikuar televizor. Tashmë qelia e Nanos, përmasat e së cilës janë afërsisht 2.5 x 4 metër, është shtruar me pllaka majolike. Në fund të saj është bërë një ndarje, ndërsa muret janë lyer me gëlqere dhe në to nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga fotot që kishte ngjitur ish-kryesocialisti në to. Në tavan qëndron një llambë ndriçimi, ndërsa priza e vendosur në mur prej shumë kohësh nuk është përdorur pasi, që kur është boshatisur për t'u kthyer në qeli izolimi. Punonjësit e vjetër të burgut dhe bashkëvuajtës të Nanos pohojnë se Nano gatuante në këtë qeli ushqimet. Ish-kryeministri, ashtu si të gjithë të burgosurit e tjerë nuk preferonte të gatuante në "kuzhinën" e burgut, që ishte sajuar në njërën nga qelitë e këtij kati. Bashkëvuajtës të Nanos pohojnë se një nga arsyet që nuk gatuhej në "kuzhinë" ishin burokracitë e shumta të punonjësve të atëhershëm për t'iu krijuar kushtet të burgosurve.
Burgu i Bënçës
Burgu i Bënçës, një ndër institucionet penitenciare më të vegjël në vend, është ndërtuar në vitin 1968 për të mbyllur aty një pjesë të të burgosurve politikë, të konsideruar të rrezikshëm për regjimin komunist. Në fillim të viteve '90, burgu ruajti të njëjtin qëllim, pasi aty u mbyllën ish-anëtarët e Byrosë Politike dhe funksionarë të lartë të komunizmit, në katin e parë të tij, ndërsa në katin e dytë të burgosurit e përjetshëm. Aktualisht në këtë burg, në 11 qelitë e katit të parë qëndrojnë të paraburgosurit e prefekturës së Gjirokastrës, ndërsa në 12 qelitë e katit të dytëj një pjesë e të dënuarve të kësaj zone. Pak ditë më parë, aty ndodheshin të izoluar rreth 130 vetë.