Minatorët: Më 10 mars në grevë urie
BURREL - Për metalurgët e Burrelit rruga e vetme e zgjidhjes së kërkesave të tyre ekonomike mbetet greva e urisë, e cila pritet të nisë me 10 mars. Drejtuesit e këshillit sindikal të konfederatës i janë drejtuar me letra Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave, duke kërkuar zgjidhjen e kërkesave të tyre. Sipas metalurgëve, kërkesa kryesore është rifillimi i punës në uzinë, pasi puna është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga firma italiane “Ital-Crom”, duke nxjerrë në rrugë 120 metalurgë. Aktualisht, 100 metalurgë paguhen me 50 për qind të pagës dhe 20 të tjerë nuk përfitojnë asgjë. Firma koncesionare nuk ka paguar sigurimet shoqërore për metalurgët e Burrelit prej muajit prill të vitit të kaluar, duke krijuar një varg problemesh për metalurgët që duhet të dalin në asistencë. Metalurgët e Uzinës së Ferrokromit në Burrel po përballen me vështirësi financiare pas shpalljes së falimentit të firmës “Ital-Crom”, e cila ishte nënkontraktuese e koncesionarit ruso-austriak “ACR”. Firma e huaj u largua duke lënë pas probleme të thella në lidhje me investimet që kishte premtuar në prani të ministrit Genc Ruli, gjatë përurimit të fillimit të punës. Metalurgët kërkojnë nga qeveria zhbllokimin e kësaj situate, në të kundërt, më datë 10 mars, ata do të futen në grevë urie. Përfaqësuesit e Sindikatës së Metalurgëve deklarojnë se firmat që kanë marrë me koncesion Uzinën e Ferrokromit në Burrel vetëm sa e kanë shfrytëzuar atë, ndërkohë që nuk kanë bërë asnjë investim. h.p