E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, pranga tutores 17-vjeçare

 

LEZHE / ROLAND NIKOLLI

Një adoleshente që rekrutonte dhe shfrytëzonte vajzat për prostitucion u arrestua dje nga policia e Lezhës, si tutorja e një prostitute 20-vjeçare. Bashkë me dy vajzat u prangos dhe klienti i kapur në flagrancë, në një nga hotelet e qytetit të Lezhës.
Policia e Lezhës kishte informacione për aktivitetin e adoleshentes, e cila kryente rolin e tutores prej një kohe të gjatë. Ajo ishte arrestuar dhe më parë me këtë akuzë, por qenia e mitur e ka detyruar gjykatën ta lërë të lirë. Por, për qëllime përfitimi vajza me inicialet Zh.V., nuk e kishte braktisur “zanatin”, madje ishte e aftë sa të rekrutonte vajza të reja për prostitucion dhe t’u gjente klientë. Mësohet se tutorja ishte nga Fushë-Kruja dhe së fundi kishte shfrytëzuar 20-vjeçaren E.Pupa nga Kruja për ushtrimin e prostitucionit. Të dhënat e siguruara për adoleshenten kanë çuar agjentët e antitrafikut të bien në gjurmët e saj paraditen e djeshme. Burimet zyrtare të policisë pohuan se aksioni për goditjen në flagrancë të këtij grupi është kryer në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës. Në një prej dhomave të një hoteli ata kanë gjetur të renë Pupa, në shoqërinë e 26-vjeçarit nga Laçi, L.Marku. Për shërbimin i riu do të paguante një shumë prej 2 mijë lekësh të reja. Në katin e parë të hotelit priste tutorja, e cila mbante llogaritë e “punës” e njëkohësisht gjuante për klientët. Policia ka mundur të dokumentojë komplet trafikun që kryhej, pas përdorimit edhe të metodave speciale gjatë marrjes në pyetje, për të vendosur arrestimin. Sipas të dhënave që ka treguar vetë 17-vjeçarja ajo prej kohësh ushtronte këtë zanat, fitimprurës për të, pasi nuk kishte mundësi tjetër të ardhurash. Ajo ka pohuar se i kishte mbushur mendjen 20-vjeçares nga Kruja për të ushtruar këtë aktivitet. Për dhomën në hotel Zh.V., paguante vetëm 500 lekë, pasi ishte kliente e rregullt, ndërsa po kaq i jepte vajzës që shfrytëzonte si prostitutë. Policia e Lezhës vendosi masën e arrestit për 2 vajzat dhe të riun, me akuzat e shfrytëzimit dhe ushtrimit të prostitucionit si dhe mbajtjes së lokaleve për prostitucion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›