E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, gazi shuan familjen shqiptare

 

ETLEVA DELIA

Një familje shqiptare është shuar tragjikisht mëngjesin e djeshëm nga një shpërthim gazi, që ndodhi në një pallat dykatësh në provincën Barberino, në Firence të Italisë. Nëna me 2 fëmijët adoleshentë ka gjetur vdekjen nën rrënojat e shtëpisë ku jetonin prej dhjetë vitesh. Viktimat janë: Angjelina Gjonaj, 37 vjeçe, Dorina 14-vjeçare dhe i vëllai Doriani, 13 vjeç, me origjinë nga Shkodra. Nga shpërthimi është plagosur rëndë edhe pronari italian i shtëpisë, Tommaso Mengoni, 38 vjeç, i cili banonte në katin e parë të ndërtesës. Të afërmit e familjes shqiptare akuzuan menjëherë pronarin, duke e quajtur atë shkaktarin e vërtetë të tragjedisë. Sipas mediave italiane, mësohet se gruaja shqiptare ka ndier erë gazi dhe ka dhënë alarmin, por dikush ka ndezur dritën dhe atëherë gjithçka është kthyer në tragjedi. Fillimisht u dyshua se në ndërtesën e rrëzuar ndodheshin edhe dy persona të tjerë. Gjatë kontrolleve të imtësishme, që ushtroi policia pas tragjedisë nuk u gjet asnjë persona tjetër nën rrënoja, edhe pse kërkimet vazhdojnë ende dhe nuk ka një shifër zyrtare për numrin e viktimave. Bashkëshorti i 37-vjeçares, në momentet e shpërthimit ndodhej në Shqipëri, pasi të shtunën ishte nisur drejt qytetit të Shkodrës.
SHPERTHIMI
Të dhënat e para të policisë italiane bëjnë të ditur se viktima të shpërthimit që ka ndodhur dje rreth orës 08:10, kanë mbetur një grua me dy fëmijët e saj. "Të vdekur nga shpërthimi u gjetën një grua shqiptare, 37-vjeçe dhe dy fëmijët e saj, një vajzë 14-vjeçe dhe djali 13-vjeç", thuhet në mediat italiane, duke iu referuar policisë. Zjarrfikësit janë ende duke punuar për të verifikuar numrin e saktë të viktimave dhe të së plagosurve. Shpërthimi që ndodhi mëngjesin e djeshëm në një provincë të Firences në Itali shkaktoi një zhurmë të fuqishme në të gjithë zonën. Nga rrënojat është nxjerrë fillimisht i zoti i shtëpisë, Tommaso Mengoni, i cili banonte në katin e parë. Forca e shpërthimit e ka nxjerrë atë nga banesa, ndërkohë që tani ndodhet në spital, por jashtë rrezikut për jetën. Dyshimet e policisë, që ka shkuar në vendin e ngjarjes janë edhe për të tjera viktima, por nuk bëhet e ditur asgjë në mënyrë zyrtare. Sipas kryebashkiakut, Gian Piero Luchi, nuk ka ende ndonjë shifër për të dëmtuarit apo viktimat e shpërthimit. Kryetari i familjes rezulton të jetë për disa ditë në Shqipëri, për këtë arsye në shtëpi ndodheshin vetëm gruaja dhe dy fëmijët. Gjithashtu, kryebashkiaku ka shtuar se ka dyshime se në banesë të ketë pasur edhe të tjerë persona. Nga hetimet e para mendohet se mund të ketë qenë motra e viktimës dhe një tjetër fëmijë. Kryebashkiaku ka shpjeguar se familja shqiptare banonte në katin e dytë të ndërtesës. Ndërkohë që të afërmit e viktimave tregojnë se burri i shtëpisë ishte kthyer në Shqipëri për disa ditë. Të dhënat e para flasin për një rrjedhje gazi, që është pasuar më tej me një shpërthim tragjik. Flakët përfshinë gjithë ndërtesën edhe katet e sipërme.
DESHMITE
"Ndihmë, ndihmë!" Bërtisnin nga dritarja dy fëmijët e familjes Gjonaj, Doriana dhe Doriani. Ndërkohë të afërmit e tyre që ndodheshin shumë pranë banesës u bënin thirrje, që të hidheshin nga dritarja, pasi do i prisnin ata. Kjo ka qenë skena e mëngjesit të djeshëm, të cilën e kanë treguar para mediave Cinzia Maranghi, Bruno Mocali, Adolfo Fiorilli dhe Debora Zaini, të cilët ndodheshin shumë pranë shtëpisë ku ndodhi shpërthimi tragjik. "Kam dëgjuar shpërthimin, ngjasonte si një tërmet, si një bombë", është shprehur njëra nga dëshmitaret. "E gjithë rruga ishte mbushur me copëza nga mobiljet e shtëpisë dhe mbi asfalt ishte pronari i shtëpisë, i cili kishte kapur edhe sobën në krah, në momentin që ka ndodhur shpërthimi", tregoi dje një tjetër dëshmitar. Dëshmi të tjera zbardhën se dikush i kishte parë fëmijët në dritare duke qarë dhe duke bërtitur dhe pas tyre ishte edhe e ëma. Iu bënin thirrje që të hidheshin, por ata kishin frikë. Më pas kanë shkuar edhe karabinierët, të cilët kanë tentuar të hapnin derën, por e kanë pasur të pamundur, pasi shpërthimi ka ardhur shumë shpejt. 

VIKTIMAT

Angjelina Gjonaj, 37 vjeçe Dorina Gjonaj, 14 vjeçe Dorian Gjonaj, 13 vjeç I PLAGOSUR

  Tommaso Mengoni, 38 vjeç, pronari i shtëpisë
Familjarët: Qiradhënësi shkaktoi tragjedinë
Të afërmit e familjes që u shua nga shpërthimi e kanë akuzuar atë drejtpërsëdrejti për këtë ngjarje, duke thënë se ai mund ta ketë ndezur dritën që shkaktoi shpërthimin. "Ai është një njeri jashtë kontrollit, i çmendur, mendoni: Deri në katër të mëngjesit mbante muzikën me zë tejet të lartë çdo natë, një njeri i droguar që është dhe motivi i tragjedisë", janë shprehur ata. Njëri nga të afërmit e familjes, Kolombo Gjonaj është shprehur se edhe herë të tjera në shtëpinë e kushërinjve të tij ishte ndjerë erë gazi dhe kishte pasur incidente.

Policia përcakton shkaqet e shpërthimit
Sipas mediave italiane, të cilat i referohen burimeve nga policia lokale, bëhet e ditur se shpërthimi në banesën dykatëshe ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit gjatë gjithë natës, që në mëngjes ka rënë në kontakt me energjinë elektrike. Një dëshmitare okulare, e cila është marrë në pyetje nga policia ka treguar se ndodhej shumë pranë banesës kur ka ndjerë erë gazi dhe brenda disa sekondave ka parë që është ndezur një dritë në katin e parë. Pikërisht ndezja e dritës sipas policisë ka shkaktuar shpërthimin e fuqishëm, pasi gazi ishte shpërndarë në të gjitha dhomat.

Familja shqiptare që u shua në Itali
Familja nga Shkodra, e cila u shua tragjikisht pas një shpërthimi mëngjesin e djeshëm, ishte vendosur në Barberino del Mugello, provincë e Firences së Italisë, prej dhjetë vitesh. Pas ngjarjes, ku policia gjeti nën gërmadhat e shtëpisë së shembur 3 viktima, u identifikua edhe familja. Gruaja Angjelina Gjonaj, 37 vjeçe punonte në një restorant. Ndërsa dy fëmijët e saj janë identifikuar dhe janë Dorina, 14 vjeçe dhe Doriani, 13 vjeç. Doriani, fëmija më i vogël ka qenë i apasionuar pas futbollit dhe sipas asaj që tregon mësuesja e tij, duhet të shkonte të luante një ndeshje me skuadrën në Barberino. Në fakt, shokët e tij të sportit ishin afër pallatit dhe po e prisnin. I zoti i shtëpisë, Gëzim Gjonaj ishte nisur të shtunën më mëngjes për në Shqipëri, ku kishte gjetur një punë si murator. Ndërkohë, në të njëjtën provincë jetonte edhe familja e motrës së Angjelina Gjonajt, si dhe disa të afërm të tjerë, të cilët sapo kanë marrë vesh për ngjarjen, të alarmuar kanë mbërritur në shtëpinë ku ata jetonin me qira dhe nuk kanë nguruar që të fajësojnë pronarin italian si shkaktar të tragjedisë.

Kryebashkiaku: Tragjedia mund të ishte shmangur

Policia italiane ka marrë dje dhe rrëfimin e kryebashkiakut të Barberinos, Gian Piero Luchi, i cili ka hedhur dritë mbi elementë të ngjarjes. "Në pamje të parë të duket sikur është një shpërthim i gazit metan, por që në fakt bëhet fjalë vetëm për një bombol gatimi në kuzhinë, që gruaja e ndjerë e ka nxjerrë jashtë nga dritarja. Tragjedia do të ishte shmangur në rast se do të kalonin edhe disa minuta, derisa gazi i përhapur në dhomë, që siç duket ishte harruar hapur që nga mbrëmja, do të dilte jashtë dhe dhoma do të ajrosej. Por nuk ka ndodhur kështu. Pronari i shtëpisë, i cili gjithashtu është plagosur dhe ndodhet në spital, mund të ketë ndezur ndonjë sobë tjetër në katin e parë ku jetonte vetë, apo edhe dritën dhe kjo ka shkaktuar shpërthimin", ka pohuar ai. Sipas tij, energjia në kontaktin e parë që ka pasur me gazin ka bërë që të shpërthejë bombola dhe shtëpia dykatëshe të shembet pjesërisht. Luchi ka pohuar se pronari i banesës ishte një personazh pak i veçantë, i cili në të kaluarën kishte krijuar incidente të vogla, por tashmë kishte filluar një punë të mirë. Ndërkohë ajo që ka dhënë alarmin për gazin ka qenë gruaja shqiptare, e cila punonte në një restorant. Kështu është shprehur kryetari i Bashkisë së provincës Barberino del Mugello në Firence, Gian Piero Luchi, i cili ka lënë të kuptohet se tragjedia mund të ishte shmangur. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›