E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mos pranoni presionet e politikës"

 

Fatos Mahmutaj

"Qeveria amerikane dhe ambasada kë-tu, mbështesim fort pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe jemi këtu për të ndihmuar në çdo mënyrë që mundemi ruajtjen e asaj pavarësie". Kështu është shprehur dje Xhon L. Uidhers, ambasadori amerikan në Tiranë, i ftuar në KLD në një takim me krerët e gjykatave. Diplomati amerikan shprehu mbështetje për një gjyqësor të ndershëm dhe larg presioneve politike. "KLD-ja ka një përgjegjësi të madhe për të emëruar gjyqtarët në mënyrë të drejtë e të ndershme dhe, së bashku me vetë gjyqtarët, të sigurohet që gjyqësori do mbahet i pastër prej gjyqtarëve të pandershëm, të korruptuar, apo joetikë. Shqiptarët mbështeten tek të gjithë juve, që të jepni drejtësi dhe të mbroni të drejtat e qytetarëve, për të trajtuar një bujk të varfër njësoj si një pronar të pasur tokash, për të pasur kurajën për t'u ngritur përpara presionit, jo vetëm nga ata me pushtet politik, por ndoshta edhe nga ata që janë pranë jush personalisht", tha ambasadori amerikan, i cili shtoi: "Për ta përmbushur detyrën duhet të keni kurajë të madhe, kurajë për t'u ngritur përpara presioneve, kurajë për të marrë vendime të vështira bazuar vetëm mbi ligjin e provat dhe, ndoshta më e vështira nga të gjitha, kurajë për të çrrënjosur korrupsionin në radhët tuaja. Por, ju duhet të keni edhe aftësinë për të punuar, për të funksionuar, për t'i bërë këto korrigjime brenda radhëve tuaja, pa lënë që ato të shndërrohen në garën midis politikanëve dhe forcave politike". Ndërsa duke komentuar për korrupsionin në gjykata, ambasadori Uidhers tha se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të mos shihet si i korruptuar sistemi i gjykatave, por vetëm ata individë, vetëm ata pak individë në sistemin e gjykatave, dhe varet nga ju që ta ruani këtë dallim me anë të autoritetit që keni, pohoi ai duke iu drejtuar krerëve të togave të zeza. "E di që është jashtëzakonisht e vështirë që njerëzit të marrin qëndrime me kurajë në një mjedis politik që u bën presion. E di që është jashtëzakonisht e vështirë kur bëhen deklarata në gazeta e televizione që ju vendosin juve në shënjestër të kritikave. Por, i admiroj shembujt e shumtë që kam parë të gjyqtarëve që ngrihen, që i janë besnikë vetëm ligjit, dhe që në fund e kanë respektin për ligjin më të madh se sa frikën nga manovrat politike", tha ambasadori, mesazhi i të cilit në përfundim ishte: "Nuk jeni vetëm në respektimin e ligjit, nuk jeni vetëm në marrjen e qëndrimeve me kurajë. Qeveria ime, popujt e demokracive kudo do t'ju mbështesin; do të qëndrojmë me ju ndërkohë që i merrni këto vendime të guximshme". Ndërsa nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, gjatë fjalës së tij nuk la pa përmendur edhe rastin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, i cili pak ditë më parë ishte shënjestra e një atentati të tipit mafioz. "Atje ku padrejtësia riskon të prekë edhe vetë dhënësit e drejtësisë, siç ndodhi tri javë më parë me Ardian Nunin, vonesat në zbardhjen e të vërtetës mund të sjellin dëme". 

"Gjyqësori i pavarur, sundimi i ligjit"
Të ngresh një gjyqësor të pavarur, që do të ishte i aftë të vinte në zbatim sundimin e ligjit mbi qeverisjen, po ashtu dhe mbi të qeverisurit, është një sfidë që të tremb. Por, sundimi i ligjit është katedralja që duhet ta ndërtojmë tullë pas tulle të mundimshme. Ju siguroj që mund të mbështeteni tek përkrahja e ambasadës, ndërkohë që vazhdoni të shtroni tullat dhe të ndërtoni sundimin e ligjit në Shqipëri.

Spahiu
Më lejoni të përfundoj duke cituar se në konceptin e ligjit, pavarësia dhe integriteti i gjyqësorit janë kushte për shtetin e të drejtës, garanci për komunitetin dhe atribute për vetë gjyqtarët, por që sjellin gjithashtu detyrimin e gjyqtarëve, për të justifikuar besimin që vetë ligji u ka parathënë. 

Uidhers
Më lejoni të jemi të qartë mbi ç'mendoj unë se nënkupton pavarësia e gjyqësorit. Është pavarësia për të vendosur duke u bazuar vetëm mbi ligjin e faktet, të lirë nga presione politike e personale. Shqipëria duhet t'i përkushtohet kësaj për të siguruar përparimin demokratik. Çdo kanosje e saj është një hap i qartë pas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›