Peshkatarët italianë refuzojnë gjobën, u bllokuan në ujërat tona
VLORE - Peshkatarët italianë refuzojnë të hedhin firmën për vendosjen e gjobës ndaj me 25 milionë lekë, pasi anija e tyre po peshkonte në ujërat territoriale shqiptare. Pasditen e së shtunës, në portin e Vlorës u bllokua anija e peshkimit me emrin “GIOVE” bashkë me 6 anëtarë të ekuipazhit, pasi u bllokuan duke peshkuar në ujërat detare të Shqipërisë në mënyrë të paligjshme. Ata kanë refuzuar vendimin e Policisë Kufitare si dhe të drejtorisë së peshkimit të Vlorës, e cila vendosi gjobitjen e tyre. Sipas tyre, gjoba është shumë e madhe dhe as peshkarexha nuk vlen aq. “Nuk hedhim firmën për aplikimin e gjobës, sepse ne nuk u futëm me dëshirë në ujërat territoriale shqiptare, por na spostoi rryma detare. Nëse do të ishim duke peshkuar do të qëndronim në vend, por dhe në atë kohë kur erdhën rojet bregdetare shqiptare vazhdonte të na shtynte ende rryma dhe rrjetat ishin të tërhequra dhe jo të hedhura normalisht. Para se të kryejmë veprimet ne kemi kërkuar takim me autoritetet e konsullatës italiane në Vlorë si dhe të ambasadës”. Sipas tyre, me ta nuk ka komunikuar ende Kapitaneria e Portit, ndërsa nuk kanë të drejtë të lënë anijen e të zbresin në tokë. Peshkatarët kanë deklaruar se ishin nisur për peshkim nga porti i Barit tre ditë më parë, por pasditen e djeshme rryma i spostoi rreth 6 milje në afërsi të ishullit të Sazanit, sepse nuk kapnin cimat për shkak të thellësisë së madhe. Reshat Xhelili, inspektor i Drejtorisë së Peshkimit në Vlorë është shprehur se në bazë të procesverbalit të mbajtur nga Policia Kufitare dhe rojet bregdetare, peshkarexha është kapur duke peshkuar në mënyrë të paligjshme në ujërat territoriale shqiptare, duke shkelur Konventën Ndërkombëtare të Peshkimit. Mbi këtë bazë është vendosur gjoba prej 25 milionë lekësh gjobë dhe bllokimin e peshkarexhës deri në pagesën e gjobës. Nëse gjoba nuk paguhet, çështja i kalon gjykatës dhe, ndonëse anija do të sekuestrohet, peshkatarët janë të lirë të largohen. Gjithsesi, priten bisedimet midis autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për të zgjidhur debatin. q.b