E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bençivenga, trajner për 3 ndeshje

Tirana nuk po kërkon më trajner për këtë pjesë të mbetur të sezonit. Bençivenga & Tafaj do të jetë binomi drejtues i pankinës bardheblu për tri ndeshjet shumë të rëndësishme, që do të vendosin fatet e kampionatit për 23 herë kampionët e vendit, të cilët vetëm tri ditë më parë dështuan në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit (1-2).

Ishte pikërisht humbja e kësaj sfide ajo që rëndonte në ndërgjegjen e Agustin Kolës dhe do ta shtynte atë drejt dorëheqjes së parevokueshme. Por, drejtuesi numër një i bardhebluve, Refik Halili, nuk ka vuajtur shumë për të gjetur zëvendësuesin e trajnerit të larguar. E ka zgjidhur gjithçka brenda "gardhit". Zëvendësi i Kolës, italiani Mauro Bencivenga, do të marrë postin e trajnerit të parë, ndërkohë që drejtori teknik, Alban Tafaji, do të riveshë tutat e sportit në krah të italianit si ndihmëstrajner. Këtë e ka konfirmuar vetë donatori Halili dje gjatë vizitës që i bëri skuadrës në fushën sportive "Skënder Halili". "Tirana i ka tashmë trajnerët e saj, ka nënvizuar dje numri një i bardhebluve në këtë sezon. Ata janë Mauro Bençivenga dhe Alban Tafaji. Të dy emrat e lartpërmendur do ta drejtojnë ekipin në tri ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit". Ndërkohë që drejtuesi i klubit të Tiranës nuk e mohoi se, gjatë ditës së djeshme ka pasur kontakte me ish-lojtarin dhe ish-trajnerin e Tiranës, Mirel Josa, të përfolur si kandidat për të marrë drejtimin e skuadrës. "Po, kam pasur kontakte me disa figura të njohur të këtij klubi, sqaroi donatori. Bisedimet me ta kanë qenë në rang konsultimesh për të gjetur rrugëzgjidhjen më të mirë për Tiranën. Skuadra në këto tri ndeshje të mbetura do të drejtohet nga Bençivenga-Tafaj". Në pamje të parë, kjo zgjedhje mund të duket e rrezikshme për bardheblutë, të cilët në këto tri ndeshje të fundit do të luajnë fatin e një sezoni të tërë. Pas dështimit me Kupën, titulli kampion mbetet objektivi i vetëm, por pozita aktuale e Tiranës është e komplikuar, pasi Vllaznia kryeson me një pikë më shumë. Megjithatë, zoti Halili këtë vendim e mbështet edhe te besimi që ka te skuadra e tij, të cilën e konsideron më të mirën në Shqipëri dhe të aftë të dominojë çdo rival: "Kam besim te skuadra ime, e cila, pavarësisht humbjes në Kupë, është ekipi më i mirë në Shqipëri dhe mund të mundë cilindo kundërshtar. Ne shpresojmë te titulli në këtë sezon dhe mendoj se e kemi potencialin për t‘ia dalë mbanë". Gjithsesi, gjatë kohës që Bençivenga & Tafaj do të vazhdojnë punën për këto tri ndeshje, sipas Halilit, klubi do ta shfrytëzojë këtë kohë për të gjetur një trajner për sezonin e ardhshëm, i cili në muajt e parë të verës do të duhet të përgatisë ekipin për pjesëmarrjen për në Kupat e Evropës.

31 trajnerë

Është 30 numri i trajnerëve që kanë xhiruar nga fillimi i sezonit e deri tani në 12 skuadrat e Kategorisë Superiore. Të vetmet skuadra që i kanë rezistuar "tundimit" për të ndryshuar trajner janë Teuta (Sulejman Starova) dhe Shkumbini (Gugash Magani)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›