E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti Amerikan: Korrupsioni në Shqipëri kontrollon shtetin

Shqipëria është një vend ku korrupsioni kontrollon shtetin dhe ekonominë, e sjell rrënim apo krizë permanente, e ngjashme me Indonezinë, Venezuelën apo Kolumbinë. Ky është mendimi i Institutit Amerikan për Kërkime mbi Politikat Publike, (AEI) i publikuar dje në një analizë krahasuese mbi gjendjen aktuale të Rusisë.

Ka dy lloje vendesh të korruptuara, sipas AEI, ku në llojin e parë hyjnë vendet ku korrupsioni, megjithëse i përhapur, nuk e bllokon zhvillimin e një vendi dhe integrimin e tij në tregjet botërore. Të tilla janë Italia, Turqia etj. Korrupsioni në këto vende lejon gjithsesi rend demokratik dhe progres. Në kategorinë e dytë, hyjnë vendet ku të korruptuarit përbëjnë një elitë shoqërore të aftë për të kontrolluar proceset demokratike dhe ekonominë, rrjedhimisht janë forcë penguese për zhvillimin dhe i fusin vendet në kriza permanente.

Korrupsioni është i njohur në të gjithë botën, por në disa vende ai është kthyer në një model jetese dhe kusht i pazëvendësueshëm në krijimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shoqërore. Në këto raste, të korruptuarit arrijnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe ta lënë pjesën tjetër të shoqërisë jashtë zhvillimeve ekonomike, jashtë tregut dhe jashtë vendimmarrjes politike. Në këto raste, ekonomia dhe shoqëria e këtyre vendeve vuan mungesën e konkurrencës si në rangun politik, ashtu edhe në shkencë e kulturë, gjë që pengon zhvillimin e shoqërisë si e tërë. Kur kasta e të korruptuarve kontrollon ekonominë dhe politikën e një vendi, ai rrezikon të bjerë në krizë permanente dhe në disa raste në kaos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›