E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidentet, kërkohen masa për javët e fundit

Kur kampionati në të gjitha nivelet ka hyrë në fazën decizive, të gjithë i tremben rikthimit të dhunës në stadiume. Historia tregon se në fund të sezonit, fushat shndërrohen në arena dhune, ku skuadrat dhe tifozeritë harrojnë lojën dhe tentojnë të arrijnë me forcë objektivat. Për të parandaluar incidentet, Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës në Sport ka zhvilluar një takim, ku është kërkuar marrja e masave dhe bashkëpunimi sa më efektiv ndërmjet të gjitha strukturave. Palët në këtë mbledhje, duke filluar nga Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Sporteve, Policia e Shtetit dhe Komiteti Olimpik, kanë vlerësuar me nota pozitive punën e bërë deri më tani. Gjithsesi, ata e kanë vënë theksin te infrastruktura e dobët në impiantet shqiptare, e cila e bën edhe më të vështirë parandalimin e dhunës. Sipas burimeve pranë FSHF-së, është kërkuar marrja e masave në fushat më të "nxehta", mbi të gjitha kur ndeshen ekipe që luftojnë për mbijetesë. Një tjetër temë e diskutuar gjatë ishte ajo rreth gjysmëfinales së Kupës ndërmjet Shkumbinit dhe Flamurtarit, të luajtur afro 10 ditë më parë në Peqin. Në mesin e pjesës së dytë të takimit, tifozët vendas kanë hedhur sende të forta në fushën e lojës, duke goditur lojtarët vlonjatë dhe gjyqtarët italianë. Zv/ministri Ekrem Spahia, theksoi se "cilësia sportive e këtij sezoni ka qenë në rritje dhe nuk ka pasur shumë shfaqje të dhunës në stadiume. Megjithatë duhen analizuar incidente si ai në Peqin, apo në ndeshjen Apolonia-Flamurtari, në sfidën e Kategorisë së Parë, Tërbuni-Kastrioti, por edhe në eliminatoren Shqipëri-Hungari".

Superiore

Sot të gjithë do t‘i kenë sytë nga Kategoria Superiore. Java e 31-të pritet të ndezë luftën në dy fronte: në garën për titull dhe ndërmjet skuadrave që kërkojnë mbijetesën. Vllaznia kryesuese pret kampionët në fuqi të Dinamos. Blutë e kanë siguruar vendin e tretë në kampionat (që përkthehet pjesëmarrje në kupat e Evropës), por premtojnë betejë. Në anën tjetër, Tirana e vendit të dytë luan me Shkumbinin, që nuk ka më objektiva në këtë edicion. Në "zonën e ftohtë", duelet e vetme të vërteta projektohen në Lushnjë, ku të besuarit e Ilir Gjylës presin Elbasanin dhe në Vlorë, ku Flamurtari ndeshet me Partizanin. Pas triumfit në Kupë, këtë javë kuqezinjtë e Memushit mund të sigurojnë edhe qëndrimin në elitë. Bylis dhe Apolonia kanë shansin të marrin tri pikë të lehta, sepse kundërshtarët respektivë, Besa e Teuta presin vetëm mbylljen formale të sezonit.

Superiore / Java 31-të

Ndeshjet

(09.05.2009)

Tirana-Shkumbini

E. Hoxha

Vllaznia-Dinamo

K. Meta

Bylis-Besa

L. Jemini

Apolonia-Teuta

A. Janku

Flamurtari-Partizani

E. Peza

Lushnja-Elbasani

S. Çekaj



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›