Dekretohen "taksat vendore" dhe "OSSH"
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dy ditë më parë disa projektligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e qeverisë. Disa nga dekretet lidheshin me sistemin e ri të taksave vendore, privatizimin e OSSH-së, borxhin ndaj Greqisë, etj. Kështu, Presidenti Topi i hap rrugë planit të qeverisë për të mos lejuar bashkitë dhe komunat që t‘i rrisin taksat 30 për qind mbi kufirin e lejuar. Vendimi i ri synon rritje me 10 për qind dhe ulje taksash me 30 për qind. Kjo formë rrezikon të ulë taksat për pushtetin vendor, kurse qeveria thotë se, synon të mbrojë biznesin. Ndërkaq, privatizimi i OSSH-së kalon edhe pengesën e radhës ligjore, duke iu drejtuar Fletores Zyrtare. Tashmë është bërë e ditur se OSSH iu shit çekëve të CEZ për 102 milionë euro për 76 për qind të aksioneve. Topi dekretoi edhe ligjin për njohjen e borxhit ndaj shtetit grek, për rreth 41 milionë dollarë, të krijuar në vitin 1991. Në fuqi pritet të hyjë edhe ligji "Për planifikimin e territorit", "licenca e katërt për operatorin celular" dhe "mbrojtjen e fondit të bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore".