E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99-a mbështet protestën e banorëve të Golemit për shpronësimet



G99-a ka mbështetur dje protestën e banorëve të Golemit, të cilët kundërshtojnë me forcë projektin e rrugës Plepa-Golem.
Sipas banorëve të kësaj zone, qeveria nuk ka parashikuar asnjë hyrje-dalje për shtëpitë dhe bizneset në pjesën e sipërme të Golemit. Sipas tyre, kjo rrugë e re do të çojë drejt falimentimit të paktën 1700 biznese të vogla e të mesme të kësaj zone. Erion Veliaj, i pranishëm në këtë protestë pranë Shkëmbit të Kavajës, theksoi: “G99-a nuk është aspak kundër ndërtimit të rrugëve të reja, por në këtë rast duket qartë se qëllimi i qeverisë nuk është përmirësimi i jetës së banorëve, por ndërtimi me shpejtësi i disa kilometrave më shumë asfalt për qëllime elektorale”. Veliaj tha se vendi ka nevojë për një qeverisje që bashkon, dhe jo që përçan. “Nuk na duhet një qeverisje që na ndan, por një qeverisje që na bashkon. Nuk na duhet një qeverisje që na përçan, por një qeveri e përgjegjshme, që mendon për nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Tashmë festa mbaroi, ndaj veç muzikës e ahengut, ne i bëjmë thirrje kryeministrit që të bëjë dhe pak punë e të zgjidhë kërkesat e qytetarëve përpara 28 qershorit”, - tha Veliaj.

PS, Beqja: “Në Ditën e Shëndetit, spitalet tona janë të pasigurta”

Në Ditën Botërore të Shëndetit, Partia Socialiste ngriti shqetësimin se spitalet shqiptare janë të pasigurta. Nënsekretari për Programin, Ilir Beqja, tha se është e patolerueshme që qeveria do t’i furnizojë spitalet me barna vetëm në muajin e fushatës elektorale. “Dita Botërore e Shëndetit e gjen shërbimin shëndetësor shqiptar e në veçanti shërbimin spitalor, në një gjendje skandaloze. Spitalet shqiptare vazhdojnë të mos kenë barna për situata normale. Në spitalet shqiptare nuk realizohen ekzaminimet, sepse mungojnë elementet bazë. Është e patolerueshme për qeverinë e kryeministrit Berisha që edhe barnat do t’i furnizojë vetëm në muajin e fushatës elektorale”, - theksoi Beqja në një konferencë për gazetarët nga selia rozë.
Ndërkohë, PS-ja akuzon Ministrinë e Shëndetësisë se bëhet ortake në afera korruptive të privatizimit të spitaleve. “Spitalet shqiptare kanë sot 2 herë më pak shtretër për 100 mijë banorë se spitalet e vendeve të anëtarësuara së fundi në Bashkimin Europian. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë bëhet ortake në afera korruptive të privatizimit të spitaleve”, - deklaroi Beqja.
Ndër të tjera ai theksoi se Partia Socialiste mbështet përpjekjet dhe angazhimin e bluzave të bardha, të cilave, sipas tij, u është nëpërkëmbur dinjiteti profesional dhe njerëzor.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›