E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, sondazhe me anë të telefonatave, LSI-ja zbret në terren

Një grup i posaçëm pune është ngritur në selinë rozë për zhvillimin e sondazheve. Sondazhet për LSI-në po zhvillohen nga kompania amerikane “Greenberg”

Luis Tanushi

83 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, dy partitë kryesore të së majtës, PS dhe LSI, intensifikojnë realizimin e sondazheve parazgjedhore. Të dyja këto parti kanë krijuar struktura të posaçme, të cilat testojnë elektoratin për tendencën që ai ka për të votuar në zgjedhjet e ardhshme. Në selinë rozë sondazhet po kryhen me anë të telefonit, ndërkohë që LSI-ja ka nisur punën në terren për zhvillimin e këtyre sondazheve. Rezultati i këtyre sondazheve ka një rëndësi të madhe si për Partinë Socialiste, ashtu dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ato do të tentojnë, nëpërmjet këtyre sondazheve, të kuptojnë preferencat e qytetarëve për drejtuesit politikë dhe kandidatët, si dhe për mbështetjen që gëzojnë në secilin prej 12 qarqeve. Një tjetër aspekt për të cilat këto forca do t’i përdorin sondazhet ka të bëjë edhe me njohjen e problemeve që qytetarët do të duan që qeveria e ardhshme t’i zgjidhë. Sondazhet do t’i ndihmojnë partitë politike për të përgatitur strategjitë e nevojshme, me të cilat ata do të nisin fushatën elektorale.

PS
Në katin e dytë të ndërtesës së Partisë Socialiste ndodhet një zyrë e posaçme, e cila funksionon për realizimin e sondazheve. Një grup vajzash janë vendosur në këtë zyrë. Detyra e tyre është që të telefonojnë në shtëpitë e qytetarëve dhe t’i pyesin për preferencat e tyre elektorale. Numrat e telefonit që përzgjidhen për t’u telefonuar dhe personat të cilët pyeten janë të rastësishëm. Në pyetësorin e realizuar nga kjo parti përfshihen pyetje që kërkojnë të dinë përkrahjen që kryetari Edi Rama ka në elektorat. Po në këtë pyetësor përfshihen edhe pyetje për preferencat partiake dhe problemet me të cilat ata përballen. Po në këtë pyetësor, ato i pyesin qytetarët se për cilën parti do të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Të dhënat e këtyre sondazheve u dërgohen strukturave në qendër, të cilat merren me analizimin e tyre. Të dhënat nga këto sondazhe pritet që të luajnë një rol të rëndësishëm në strategjinë që PS-ja po bën për fushatën.

LSI
Edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur sondazhet nga ana e saj. Ajo ka kontraktuar kompaninë amerikane “Greenberg Quinlan Rosner Research”. Kjo kompani, ndryshe nga PS-ja, ka nisur sondazhet në terren, ku grupe të rinjsh intervistojnë qytetarët. Pyetësori përmban pyetje të tilla, si: Cilat janë çështjet që duhen zgjidhur me urgjencë? Cilat janë çështjet që shqetësojnë më shumë qytetarët? Në sondazhin e kësaj kompanie amerikane janë futur edhe pyetje që kanë të bëjnë me grupe të caktuara të shoqërisë, si: Kush mund të bëjë më shumë për të rinjtë? Cila prej këtyre partive mund t’i zgjidhë problemet e grave? Në sondazhe qytetarët pyeten edhe se për cilën parti apo lider do të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kompania “Greenberg”, pasi të mbarojë sondazhet në terren, do të kryejë edhe përpunimin e këtij informacioni. Pas përpunimit të këtyre të dhënave, ato do t’i dërgohen strukturave të LSI-së, të cilat do të analizojnë rezultatet e nxjerra.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›