E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuota 30%, emrat e grave politikane që do të kryesojnë listat e partive

Cilat janë politikanet gra, që pritet të përfaqësojnë PS-në dhe LSI-në në garën e 28 qershorit. Qarqet ku gratë do të kryesojnë listat e kandidatëve për partitë respektive

Shaban Sulçe

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë të angazhuara plotësisht për të respektuar detyrimin ligjor që mbart Kodi i ri Zgjedhor, i cili sanksionon kuotën 30% të përfaqësimit të grave në listat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Por, si Partia Socialiste, ashtu dhe LSI-ja janë të prira që këtë kuotë përfaqësimi ta ruajnë edhe në Parlamentin e ardhshëm. Për këtë arsye, shumë prej grave politikane, drejtuese dhe figura të partive në fjalë, pritet të kryesojnë ose më saktë të jenë në vendet e para të listave respektive.

PS-ja
Në qarkun e Tiranës, Partia Socialiste pritet të ketë një numër të konsiderueshëm kandidatesh gra, por mendohet se ndër vendet e para të kësaj liste do të përzgjidhen kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste, Ermira Danaj, si dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Gjinore, Edlira Haxhiymeri. Në qarkun e Elbasanit, lista e kandidatëve të Partisë Socialiste pritet të kryesohet nga kryetarja e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj. Në qarkun e Dibrës mendohet se do të jetë zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ajo që do të jetë në krye të listës së kandidatëve të Partisë Socialiste. Po në këtë qark, në vendet e para pritet të jetë edhe emri i Elisa Spiropalit, e cila është bashkuar kohët e fundit me Partinë Socialiste pas largimit nga Lëvizja “Mjaft”. Në qarkun e Fierit, për selinë rozë pritet të kandidojë Ajola Xoxaj, së bashku me deputetet Rajmonda Stefa dhe Arta Dade, të cilat do të jenë në vendet e para të listës së kandidatëve. Ndërkohë, burime pranë Partisë Socialiste bëjnë të ditur se lista e kandidatëve të PS-së në qarkun e Durrësit do të kryesohet nga emri i anëtares së Kryesisë dhe kryetares së Komisionit të Arsimit në selinë rozë, Ledi Shamku. Edhe anëtarja tjetër e Kryesisë së PS-së, Lindita Nikolli, pritet të jetë kandidate kryesore në qarkun e Lezhës.

LSI-ja
Ndër vendet e para të listës së LSI-së për qarkun e Tiranës pritet të vendoset emri i kryetares së LRI-së, Erisa Xhixho, e cila, në kuadër të organizimit elektoral të LSI-së, është zgjedhur edhe nënkryetare e kësaj partie. Një tjetër emër gruaje, që kryeson listën e kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është Monika Kryemadhi, e cila do të kandidojë në qarkun e Dibrës. Po në këtë qark, për LSI-në do të garojë edhe Lutfie Meta. Ndërkohë, nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, pritet të jetë ndër vendet e para të listës së kandidateve për qarkun e Korçës, ndërsa anëtarja e Kryesisë së LSI-së, Nora Malaj, do të jetë e treta në listën e kandidatëve për qarkun e Shkodrës. Po në qarkun e Shkodrës, për LSI-në pritet të garojnë edhe dy kandidate të tjera, emrat e të cilave janë: Vjollca Vuçini e Saemira Laçi. Gjithashtu, në qarkun e Fierit, për LSI-në, në vendet e para të listës pritet të jetë edhe deputetja Angjelina Kola, e cila u bashkua me LSI-në pas largimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Social-Demokrate.

Lista e kandidateve të PS-së dhe LSI-së

PS Qarku
Ermira Danaj Tiranë
Edlira Haxhiymeri Tiranë
Valentina Leskaj Elbasan
Ledi Shamku Durrës
Ajola Xoxaj Fier
Arta Dade Fier
Rajmonda Stefa Fier
Mimi Kodheli Dibër
Elisa Spiropali Dibër
Lindita Nikolli Lezhë

LSI
Erisa Xhixho Tiranë
Monika Kryemadhi Dibër
Lutfie Meta Dibër
Filloreta Kodra Korçë
Nora Malaj Shkodër
Vjollca Vuçini Shkodër
Saemira Laçi Shkodër
Angjelina Kola Fier

Parlamenti aktual, gratë deputete më pak se 10%

Parlamenti aktual, i cili është në prag të mbylljes së legjislaturës, ka pasur një përqindje të ulët të përfaqësimit të grave. Ky nivel përfaqësimi është më pak se 10% i numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Ky përfaqësim mjaft i dobët i grave në Kuvend shtoi presionin të jashtëm e të brendshëm që në Kodin e ri Zgjedhor të sanksionohej kuota 30% e përfaqësimit të grave. Nga 140 deputet që ka Kuvendi, në këtë legjislaturë vetëm 10 deputete kanë qenë gra. “Ngushëlluese” në këtë drejtim ka qenë fakti që Parlamenti është drejtuar nga Jozefina Topalli, deputete e Partisë Demokratike. Përveç Topallit, PD-ja ka edhe tre deputete të tjera në radhët e saj në Kuvend, përkatësisht ish-ministren e Integrimit Arenca Trashani, ministren aktuale të Integrimit, Majlinda Bregu si dhe Lajla Pernaskën, e cila i është “huazuar” Grupit Parlamentar të Partisë Republikane.
Katër është numri i deputeteve gra të Partisë Socialiste, të cilat janë përkatësisht kryetarja e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj, ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ish-ministria e Integrimit Ermelinda Meksi dhe deputetja Rajmonda Stefa.
PSD-ja është përfaqësuar në Parlament nga dy deputete, Diana Çuli dhe Angjelina Kola, por kjo e fundit u largua nga Grupi Parlamentar i PSD-së për t’u bashkuar me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›