Dobjani: Topalli të mos i “kyçë” raportet e Avokatit të Popullit
Eljona Ballhysa
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i pranishëm dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ngriti si shqetësim faktin se komisionet parlamentare nuk kanë marrë në shqyrtim raportet e institucionit që ai drejton. Dobjani u shpreh se i ka dërguar kryetares së Kuvendit rreth 3 raporte, të cilat, sipas tij, janë kyçur në sirtarët e Kuvendit. “Do të kërkoja që raportet e mia të mos kyçen në sirtarët e Kuvendit. Kam dërguar 3 raporte, të cilat nuk janë marrë në shqyrtim nga komisionet parlamentare”, - është shprehur Dobjani. Po kështu ai shprehu pakënaqësi dhe për indiferencën e deputetëve që kanë firmosur për disa amendime të ligjit mbi bazën e të cilit funksionon institucioni i Avokatit të Popullit dhe ende nuk janë marrë në shqyrtim. Ai tha se prej disa muajsh disa deputetë të Kuvendit firmosën nismën e Avokatit të Popullit për të amenduar ligjin, por ky draft nuk është shqyrtuar ende. Dobjani gjithashtu kërkoi zgjerimin e legjislacionit për fushën e ankesave që shqyrton ky institucion, pasi, sipas tij, 44% e ankesave janë jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit. Dobjani ishte i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve për të referuar mbi raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2008. Raporti i Avokatit të Popullit u cilësua statistikor nga deputetët socialistë, të cilët kërkuan që ai të ishte analitik.
Përmbarimi
Gjatë fjalës së tij Avokati i Popullit ngriti si shqetësim numrin e lartë të ankesave të qytetarëve për mosekzekutim të vendimeve të gjykatave. Avokati i Popullit u shpreh se përgjegjësi për këtë mbajnë nëpunësit e zyrave të Përmbarimit. Ai e cilësoi këtë institucion neglizhent dhe të paaftë. “Tek ne vijnë një numër i lartë ankesash për mosekzekutim të vendimeve të gjykatave. Mendoj se ka neglizhencë, paaftësi dhe mosdashje nga zyrat e Përmbarimit për të zbatuar vendimet gjyqësore. Ata ngrenë si shqetësues faktin se nuk kanë buxhet, ndaj nuk ekzekutojnë vendimet. Por sa herë që ka ndërhyrë Avokati i Popullit, vendimet janë zbatuar”, - është shprehur Dobjani gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve.
Avokati i Popullit u bëri thirrje ligjvënësve të ndryshojnë ligjet, për t’i dhënë këtij institucioni më shumë të drejta për shqyrtim çështjesh. “Ndërruam formën se si mund të bëhej rregullimi që Avokati i Popullit të zgjidhte dhe të pranonte ankesat kundër vendimit të formës së prerë. Nga deputetët dhe përfaqësues të Gjykatës së Lartë pati një reagim negativ duke menduar se po i shtoheshin kompetencat avokatit të popullit. Kjo çështje, edhe pse është ngritur disa herë, nuk është pranuar. Ia kam nisur edhe Ministrisë së Drejtësisë dhe kam refuzimin me shkrim të ministrit për këtë çështje”, - tha Dobjani.
Zgjedhjet
Deputeti i LSI-së në Komisionin e Ligjeve, Spartak Braho, ngriti pyetjen se a hyn në juridiksionin e Avokatit të Popullit sigurimi i të drejtës së votës së qytetarëve. Dobjani u shpreh se e drejta e votës është një e drejtë kushtetuese dhe se institucioni që ai drejton ka luajtur rol aktiv në këtë fushë. Ai tha se ende ekziston mundësia që klasa politike shqiptare të zbatojnë të paktën dy rekomandime të Avokatit të Popullit, siç është mospërfshirja e fëmijëve në fushatë, mospërdorimi i tyre, si dhe futja e skanerit elektronik për numërimin e votave, çka do të mundësojë transparencë dhe shpejtësinë e duhur. Dobjani gjithashtu kujtoi se institucioni i Avokatit të Popullit ndërhyri fort në procesin e hartimit dhe pastrimin e emrave të dubluar nga listat e zgjedhësve.
8 Prill 2009