E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bendtner rrezikon sanksione

UEFA po shqyrton çështjen e Niklas Bendtner, sulmuesit të Danimarkës, që edhe pse shënoi dy gola të mërkurën nuk arriti të evitonte humbjen e skuadrës së tij përballë Portugalisë. “Bomberi” danez ka përfunduar në qendër të hetimeve të Konfederatës Europiane të futbollit, pasi i ka bërë reklamë një kompanie bastesh, gjatë festës pasi shënoi golin e barazimit të përkohshëm 2-2.
Ndërkohë që festonte, Bendtner kishte ulur pantallonat në mënyrë që të tregonte të brendshmet, në të cilat kishte shkrimin reklamues “Paddy Power”, kompani e njohur bastesh irlandeze. Menjëherë pas ndeshjes, “bookmakersi” ndërkombëtar kishte shpërndarë një deklaratë për shtyp, duke vlerësuar paraqitjen e lojtarit.
Pas takimit, Bendtner nuk e komentoi reklamën e improvizuar në fushë, megjithatë tashmë ai rrezikon sanksionin.
UEFA ndalon në mënyrë të rreptë çdo lloj publiciteti të paautorizuar gjatë aktiviteteve që organizon. Këtu përfshihen edhe bluzat poshtë fanellave apo aksesorët e tjerë që mund të mbajnë futbollistët në fushë. Pikërisht për këtë arsye çështja po shqyrtohet me shumë kujdes dhe Bendtner rrezikon një gjobë mjaft të majme për reklamën e bërë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›