Murinjo flet per evropianin

Zhoze Murinjo është si një njeri i erës. Që nga Polonia ku ndoqi Spanjën me Italinë, ai fluturoi për në Singapor, me synim promovimin e fondacionit të tij olimpik në vendin e vogël, por të rëndësishëm aziatik. Por, pyetjet drejtuar ndaj tij kanë të bëjnë më së shumti me Europianin dhe trajneri i Realit nuk përton të përgjigjet.
“Spanja është kampione e botës dhe nuk ka dyshim se mbetet një nga ekipet më të mirë në Europë. Pra, normalisht, nëse gjërat shkojnë në drejtimin e duhur, Spanja duhet të kualifikohet, Spanja duhet të kalojë përtej dhe të pretendojë deri në fund, ndoshta me Gjermaninë dhe nja dy ekipe të tjerë”, u shpreh ai.
Portugezi nuk mund të mos pyetej për kombëtaren e vendit të tij, Portugalinë.
“Tani, ata nuk varen më nga të tjerët, ata varen vetëm nga vetvetja. Pra, nëse ia dalin, nëse bëjnë detyrën ndaj Holandës, do të jenë në çerekfinale. Nuk them se Portugalia është patjetër një nga 2-3 më të mirët në Euro, por bëhet fjalë për turne të shkurtër dhe me eleminim, me kohë shtesë, me penallti. Në çerekfinale dhe më tej gjithçka mund të ndodhë”, sqaroi Murinjo.
Natyrisht, ai bën edhe detyrën në Singapor duke reklamuar fondacionin e tij, veçse vëmendjen kryesore e ka ende tek Euro 2012. Reali i Madridit mund të presë pak.