E Diel, 1 Nëntor 2026

Benedikti XVI: Paqja në Lindjen e Mesme, përmes politikës me vizion moral

Papa e përfundoi shtegtimin e tij apostolik në Qipro, duke bërë, nga Nikozia, një thirrje të fuqishme: “Pëpiquni ta shmangni rrezikun e gjakderdhjes!”. Rruga e drejtë për t’u dhënë fund tensioneve në Tokën Shenjte, nuk është dhuna, por durimi. Durim për të kërkuar e për të gjetur udhën e mirë. E në këtë atmosferë, Benedikti XVI nuk mund të mos kujtonte se të krishterëve u duhen respektuar të gjitha të drejtat. Një nga kulmet e shtegtimit, ishte çasti kur Benedikti XVI u dorëzoi ipeshkvijve të Kishave katolike lindore dokumentin e përbashkët të punës për Sinodin, që do të mblidhet tetorin e ardhshëm, në Vatikan.
Shtegtimi pati një jehonë të madhe ndërkombëtare, sepse preku nervin, që dhemb më shumë, në të gjithë Lindjen e Mesme: “Pushtimi izraelit e Islami politik janë shkaktarë të trazirave, në një zonë, ku të drejtat e dhunuara vënë në rrezik vetë fetë!”. Por, për një bilanc të shtegtimit të Papës në Qipro, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, flet për Radio Vatikanin: “është një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv, që i shtohet edhe dy shtegtimeve të mëparëshme. Gjëja që të prek më shumë, është se brenda më pak se një muaji, patëm tre shtegtime ndërkombëtare të Papës, që të tre, të kurorëzuara me sukses të madh, në krahasim me atë që pritej, duke i tejkaluar shumë parashikimet. Më duket se rezultatet më të mëdha u arritën në fushën ekumenike. Pikërisht përqafimi i paqes, gjatë Meshës së djeshme, ndërmjet Papës e Kryepeshkopit ortodoks, Crisostomos II, është simbol i këtij takimi, që shënon një hap pëpara në rrugën e gjatë të ekumenizmit, me një Kishë, si kjo e Qipros e cila, ndonëse e vogël numerikisht, zë një vend të posaçëm në lëvizjen ekumenike, posaçërisht në mjediset ortodokse dhe është e pasur me nisma. Kisha Ortodokse e Qipros e ndjeu veten të inkurajuar e të nderuar nga prania e nga vëmendja e Papës me këtë vizitë të veçantë, e cila vuri në dukje dinjitetin e saj si Kishë, që ecën në kërkim të unitetit, ndonëse besnike ndaj rrënjëve të veta. E, kujtojmë se këto rrënjë janë shumë të lashta, nisin me Barnabën e Palin dhe me udhëtimin e tyre të parë apostolik. Prandaj mund të themi me plot gojën se ky takim me Kishën Ortodokse është sigurisht pozitiv. Kundërshtimet, për të cilat u fol ndonjë herë, mbetën absolutisht të dorës së dytë, madje do të thosha, ranë shumë pak në sy, në se i shikojmë në këndvështrimin e bilancit global. Pastaj ishte një ngjarje vërtet historike për bashkësinë katolike qipriote, për të gjithë elementet e saj përbërëse, me çaste shumë të bukura, entuziazmante: kujtoj takimin në Kishën e Shenjtes Krygjë e pastaj, të shtunën, Meshën Shenjte, gjatë së cilës pati 8500 kungime, gjë që do të thotë se ishin të pranishëm të paktën 10.000 katolikë. Mund të themi qetësisht se aty ishte pjesa kryesore e katolikëve, që jetojnë në ishull. Natyrisht nuk kanë mundur kurrë të jetojnë një çast bashkimi, entuziazmi, mbështetjeje të anasjelltë në fe, si ai që jetuan këto ditë, gjatë të cilave patën në gjirin e tyre Bariun Universal, që u dha zemër, i ftoi të jetojnë të bashkuar. Ndërmjet tjerash, Papa vuri në dukje se ishte festa e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit, pra festa e Eukaristisë, që e bën edhe më të dukshëm bashkimin e besimtarëve e të mbarë Kishës. Edhe në këndvështrimin e popullit të Qipros në përgjithësi, duhet theksuar se autoritetet e tij, si ata politike, ashtu edhe ata fetare, i qanë hallet me Papën, folën për shpresat e tyre, problemet e tyre, edhe për ata, që lidhen me situatën e ndarjes së ishullit, me rrezikun e humbjes së trashëgimisë kulturore të krishterë, e kështu me radhë. E bënë këtë në mënyrë shumë të qartë, duke përfituar edhe nga rasti, që kishin në mes tyre një mysafir kaq të rëndësishëm. Papa u përgjigj me shumë drejtpeshim e qartësi, duke mbrojtur parimet themelore të bashkëjetesës: respektin për të drejtat e njeriut, të drejtën për t’u rikthyer në viset e origjinës, për të komunikuar me to, për ata që janë detyruar të largohen, të drejtën për liri fetare, për liri të ndërgjegjes, për liri të kultit. Kështu Papa u interesua shumë për këto problemeve, për rrugën, në të cilën duhet ecur, që të zgjidhen, ashtu si bëri edhe në thirrjet për paqe në të gjithë zonën e Lindjes së Mesme. Në përfundim të Meshës bëri një thirrje shumë të qartë, pikërisht për paqen në zonë e për impenjimin e të gjithëve në këtë drejtim. Ndërmjet tjerash, ardhja e Papës e fakti që zgjodhi Qipron si vend për dorëzimin e “Instrumentum Laboris” të Sinodit për Lindjen e Mesme, i dha dinjitet të madh ishullit, si udhëkryq, si pikë takimi, si vend në të cilin mund të arrihet nga vise të ndryshme të Lindjes së Mesme. Prandaj, dinjiteti, rëndësia historiko-kulturoro- fetare e këtij ishulli, u afirmua me fakte nga Papa e nga Kisha katolike, që e bëri të dalë, kështu, në pah, pikërisht duke përfituar nga ky shtegtim.
Ipeshkvijtë shqiptarë, thirrje për zgjerimin e meshtarisë – Deklarata e Plotë e Konferencës Ipeshkvnore/Fort të dashur meshtarë, duke iu afruar mbylljes së vitit meshtarak, për të cilin do t’i mbetemi mirënjohës për një kohë të gjatë Atit të Shenjtë Benedikti XVI që na e ka dhuruar në 150 vjetorin e lindjes në qiell të meshtarit të shenjtë Gjon Maria Vianney, ndjejmë një nevojë urgjente t’ju ftojmë që të vazhdoni në rrugëtimin e shenjtërisë që të gjithë ne kemi ndërmarrë, më mirë të themi, kemi dëshirë të arrijmë, në përngjasim të “Shenjtit” që na ka thirrur në dritën e shenjtërisë dhe të besnikërisë së tij. Në të njëjtën kohë duam t’ju shprehim edhe një herë mirënjohjen tonë për atë çfarë jeni dhe për çfarë po bëni, si bashkëpunëtorët e parë, të çmuar dhe të domosdoshëm të shërbesës sonë ipeshkvnore, kryesisht në shpalljen e Ungjillit.
Kisha jonë në Shqipëri ka shumë nevojë për meshtarë të shenjtë, ungjillëzues të palodhshëm dhe dëshmitarë të qartë të Krishtit të ngjallur në përngjasim të ipeshkvijve e meshtarëve tanë të dashur martirë.
Duke sjellë ndërmend shprehjen e Famullitarit të Arsit “meshtari është dashuria e zemrës së Krishtit”, ta ndjejmë veten të thirrur për të qenë jo vetëm një shenjë dhe një shfaqje e kësaj dashurie, por për t’u bërë thellësisht e njëjta gjë me vetë Jezusin që është dashuri.
Përballë vështirësive të përditshme në shërbesën tuaj meshtarake, ju porosisim të qëndroni besnikë ndaj angazhimeve që keni marrë mbi vete ditën e shugurimit tuaj, të vetëdijshëm që ne si barinj shpirtërorë gëzojmë mbështetjen dhe shoqërinë e vetë dashurisë së Hyjit e cila është e durueshme dhe e qëndrueshme. Edhe nëse jo gjithmonë shihen rezultatet, rëndësi ka që me këmbëngulje të bëheni “gjithçka me të gjithë”.
Jini pra të zellshëm në shërbesë, të qëndrueshëm në lutje, veprues në dashuri sikurse “samaritani i mirë” që ka për zemër vuajtjen e njerëzve të vet.
Të bashkuar me vuajtjet e Atit të Shenjtë, për shkak të dhembjes që disa prej vëllezërve dhe bijve tanë në meshtari i kanë shkaktuar, e pikërisht në këtë vit meshtarak, duke mos qenë besnikë ndaj celibatit të tyre, ju porosisim në Zotin t’i rrini larg çdo gjesti apo tjetër gjëje që mund të fyejë Hyjin për shkak të shkandujve vështirësish të riparueshëm.
Flija e Eukaristisë që kremtojmë dhe lutjet që lartësojmë kërkojnë meshtarë të pastër dhe duar të pastra, sikurse e papërlyer është edhe flija që ofrojmë. Kemi nevojë të gjithë ipeshkvij, meshtarë, vëllezër laikë të rritemi në bashkim, me anë të marrëdhënieve më vëllazërore e më të thella dhe ta dëshmojmë këtë gjë gjithashtu me anë të besnikërisë sonë në takimet e përmuajshme dhe me gjithçka tjetër që së bashku e vlerësojmë të përshtatshme për këtë qëllim. Në çdo situatë që mund të gjendeni, në jetën e përditshme, veçanërisht në çastet më të vështira, t’ju bjerë ndërmend me dashuri dita e shugurimit tuaj, hapjuni rrëfyesit apo udhëheqësit tuaj shpirtëror; na ndjeni afër jush si etër, me besimin se së bashku gjithçka mund të kalohet.
Të sigurtë se do të gjejmë në ju një mirëkuptim bijësor, ju përqafojmë të gjithëve në Zotin dhe nga zemra ju bekojmë,
Ipeshkvijtë tuaj

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›