E Diel, 1 Nëntor 2026

Nekrofilia ideologjike e politikës

(Perse idetë e këqija zëvendësojnë idetë e mira)

Nekrofilia është tërheqja seksuale për kadavrat. Kurse nekrofilia ideologjike është dashuria miope ndaj ideve të varrosura. Bëhet fjalë për një patologji që gjallon në versionin e saj si në politikë, po ashtu edhe në sferën seksuale. Ata që kanë pasur ndezur televizorët e tyre apo kanë blerë një gazetë në këto pesë ditët e fundit, janë gjendur përpara ndoca politikanëve që janë të dashuruar ndaj disa ideve që janë eksperimentuar më parë dhe kanë dështuar. Natyrisht keni parë sesi Ramiz Alia në orgjitë e tij mediatike mbron idetë negative dhe të mirat e komunizmit, të cilat janë vërtetuar me prova të pakundërshtueshme se kanë dështuar kudo. Edhe në Shqipëri, në mënyrë të padiskutueshme.
Si të gjitha patologjitë, sëmundja paraqet edhe raste më të lehta, në kufijtë e groteskut, dhe disa raste të tjera ekstreme, bile të rrezikshme. Marrim për shembull në nivel ideologjik rastin e maoistëve. Dikur dëgjoheshin se “komunizmi është sistemi më i kompletuar, më përparimtari, më revolucionari dhe më i arsyeshmi i historisë njerëzore. është sistemi ideologjik social komunist i vetëm që ka përbrenda rini dhe vitalitet” shkruante Mao Ce Duni në protokollin e idiotësisë mediokre “Libri i Kuq!”.
Gjatë gjysmë shekulli, revolucioni kulturor entuziazmoi miliona njerëz në të gjithë botën. Edhe ne shqiptarët e dimë se për çfarë po flasim dhe i dimë rezultatet. Partia Komuniste Kineze për vete e ka dhënë diagnozën e saj mbi drejtimin e Maos: “Ka bërë gabime të mëdha dhe që do të zgjasin në kohë, një drejtim që ishte larg analizës korrekte të problemeve, dhe pështjelloi atë çfarë ishte e drejtë më atë që ishte e gabuar dhe ka shkëmbyer popullin me armikun. Dhe këtu konstituon tragjedia”. Kanë qenë plot 55 milionë persona që kanë paguar me jetën e tyre “gabimet” e Maos.
Por në fund të fundit do të mendonim se duke parë këto rezultate, ne do të nxirrnim mësime. Por nuk është e thënë. Ashtu si komunistët në Kinë, dhe këto pak relikte të historisë komuniste shqiptare që amplifikohen nga një pjesë e medies që kanë lidhje nostalgjie, farefisnore dhe fitimprurëse - po kërkojnë të na lyejnë kufomën me parfum.
Megjithatë Kina e ka tradhtuar Maon dhe ka arritur rezultate që vetë Mao do t’i kishte zili, por në disa vende të tjera vijojnë të dalin personazhe politike që me një ngutje vetëvrasëse dashurohen me maoizmin. Në Nepal, për shembull, vetëm dy vjet më parë, partia maoiste ka marrë votat e nevojshme për të pasur një peshë në parlament duke kontrolluar kështu Pushtetin me kohë të pjesshme. Në Indi, gjatë fundit të 2004-s, lindi partia komuniste (maoiste), me shkrirjen e tre grupeve të ndryshme me të vetmin objektiv: të përmbysin qeverinë.
Me një prezencë në 20 nga 28 shtete indiane dhe kontrollimin e disa zonave të pasura minerare, ku nxjerrja e minerareve u sjell atyre plot 300 milionë dollarë, maoistët janë bërë kështu një forcë politike dhe ushtarake. Kryeministri Manmohan Singh, i konsideron ata si “kërcënimi më serioz i sigurisë kombëtare”.
Në Peru, lëvizja “Sendero Luminoso”, (shtegu i ndritur) me tradita maoiste që besohej se ishte zhdukur, doli përsëri në skenë falë trafikantëve të kokainës. Nuk bëhet fjalë vetëm për Maoizëm. Disa liderë ushqejnë adhurim për idetë ekonomike që në të kaluarën janë eksperimentuar në vendet e tyre, me konsekuenca tragjike në varfëri, mizerje dhe korrupsion. Në Bolivi, Ekuador, Nikaragua dhe Venezuelë, për shembull, është e ditur se janë të paktë funksionarët që çojnë përpara punët e tyre me efikasitet dhe ndershmëri.
Por nekrofilia ideologjike nuk prek vetëm të majtët. është e lehtë ta gjesh edhe midis fondamentalistëve të tregut të lirë. As katastrofa ekonomike botërore që po kalojmë nuk i bën të dyshojnë mbi idetë e tyre për efikasitetin e tregjeve, tendencën natyrale të ekuilibrimit dhe faktin se ndërhyrja qeveritare për të stabilizuara ekonominë është jo vetëm e panevojshme, por edhe jo-frytdhënëse. Besojnë verbërisht se bankat mundet të rregullohen vetë, pa ndihmën e një kontrolli më të madh shtetëror, dhe se tregu do të gjenerojë automatikisht subvencione të nevojshme për të mbrojtur mjedisin.
Ekonomia nuk është terreni i vetëm pjellor për nekrofilinë ideologjike. Për të kuptuar këtë pasion të zellshëm për idetë e këqija, mjafton të kujtojmë ata politikanë që manipulojnë vëmendjen e qytetarëve për hesape të liga. Dashuria është e verbër, dhe dashuria për ato ideologji që ndihmojnë për të mbajtur pushtetin jo vetëm janë qorre, por edhe të leverdishme. Në fund të fundit, nekrofilët politikë dashurojnë më shumë pushtetin sesa idetë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›