Mazhoranca: Opozita spekulon, privatizimi nuk nënkupton shitjen e pasurive natyrore

Kuvendi miraton projektligjin që përcakton formulën e privatizimit të 4 HEC-ve
Kuvendi ka miratuar dje me 73 vota p/ligjin që përcakton formulën e privatizimit të katër hidrocentraleve të Ulëzës, Shkopetit, Tiranë-Lanabregasit, si dhe HEC-in Bistrica 1 dhe Bistrica 2, me synim që të përmirësohet prodhimi dhe ecuria teknologjike e tyre. Po ashtu kjo nismë e ndërmarrë nga Ministria e Ekonomisë dhe që synon përgatitjen ligjore të privatizimit të këtyre veprave energjetike parashikon nxjerrjen në privatizim të dy HEC-eve të Bistricës, si dhe atyre të Ulzës dhe Shkopetit.Disa deputetë demokratë dhe ministri i ekonomisë, energjisë dhe privatizimeve, Nasip Naço, replikuan në mungesë me deputetët e opozitës për kritikat që ata kanë shprehur për këtë proces. Në fjalën e tij ministri i Energjetikës, Nasip Naço solli në vëmendje se procesi i privatizimeve ka filluar qysh me rënien e komunizmit dhe se të gjitha Qeveritë e pas viteve ’90 pa përjashtim e kanë mbështetur procesin. Gjithashtu ai theksoi se për rreth 40 vjet në Shqipëri u zbatua një proces shtetëzimi dhe kolektivizimi i pronës private.
“Kemi 20 vjet që po përpiqemi të korrigjojmë këtë gabim historik nëpërmjet një procesi të plotë ligjor dhe transparent privatizimesh”, u shpreh ndër të tjera Naço.
Gjithashtu duke vlerësuar ecurinë e sektorit energjetik në vend, rritjen e pjesëmarrjes së aktivitetit privat në prodhimin e energjisë elektrike, si dhe interesin e kompanive vendase e të huaja për të marrë pjesë në privatizimin e aseteve të KESH, ministri i Energjetikës, Naço u shpreh se nëpërmjet këtij projektligji synohet realizimi i procedurave për privatizimin e 4 hidrocentraleve aktualisht pjesë e kapitalit të KESH sh.a., dy prej të cilëve të vendosur në lumin Mat (Ulëz dhe Shkopet), dy të tjerë në lumin Bistricë (Bistrica 1 dhe 2).
“Me privatizimin e hidrocentraleve të mësipërm, KESH sh.a. do të përmirësojë më tej aktivitetin e shoqërisë duke e fokusuar veprimtarinë në hidrocentralet kryesore të vendit në kaskadën e Drinit dhe do reduktoj kostot e mirëmbajtjes, operimit dhe nevojave për investime në këto objekte”, theksoi më tej Naço.
Duke vazhduar me tej ai vuri theksin te avantazhet që ka ky projektligj. Privatizimi i hidrocentraleve të mësipërm do të liberalizoj dhe më tej sektorin e prodhimit të energjisë elektrike në vend, duke rritur konkurrencën në treg dhe duke krijuar hapësira të mëtejshme për pjesëmarrjen e investimeve të huaja në këtë sektor të rëndësishëm.
Nga ana tjetër, të ardhurat e krijuara nga privatizimi i këtyre aseteve do të përdoren për realizimin e investimeve të mëtejshme publike të parashikuara për vitin 2011. Ministri i Energjetikës, Nasip Naço ka bërë me dije se METE tashmë ka krijuar një portal (ëeb-site ëëë.privatizime.al, i cili pasurohet vazhdimisht me të gjitha objektet që kanë përmbyllur dokumentacionin dhe janë gati për privatizim). Opinioni publik, mund të informohet në detaje për të gjithë procesin e privatizimit që nga faza se si bëhen aplikimet e deri në finalizimin e procesit.
Pas diskutimesh nga vetë deputetet, drafti është miratuar me 73 votat e deputetëve të mazhorancës. Partia Socialiste ka deklaruar se kur të vijë në pushtet do të anulojë këto privatizime, që sipas drejtuesve të saj, qeveria Berisha po i bën për të mbuluar abuzimet dhe shpenzimet e pajustifikuara. Opozita vazhdimisht i ka parë me dyshim proceset privatizuese të ndjekura nga qeveria për objekte të vogla e të mëdha, ndërsa qeveria është përgjigjur me masa për thellim e garanci për transparence.
Duke iu kundërpërgjigjur opozitës Ministri i i ekonomisë, energjisë dhe privatizimeve, Naço theksoi se “A mund të na thotë opozita se me çfarë mekanizimi tjetër përveç atij ligjor nuk do të njohë “privatizimin” apo koncesionet e dhëna për investitorët vendas dhe të huaj?
“Qeveria dhe institucioni që unë përfaqësoj ka një angazhim dhe përkushtim maksimal për të kurorëzuar një proces privatizimesh transparent, me një konkurrencë të ndershme për çdo aset, dhe me një “vlerë të shtuar” në dobi të interesave të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”- tha më tej ai. Më tej edhe deputetet e tjerë të mazhorancës si Sherefedin Shehu apo Florion Mima kanë sqaruar avantazhet që ka ky projektligj për vendin tonë. “Nuk do të shiten pasuritë natyrore siç është uji, nuk do të shitet baseni i krijuar në digën e këtij hidrocentrali, pra rasti duhet të jetë i qartë. Ose shitja e asetit, ose shitja e investimit, duke vënë në përdorim tek sektori privat me një kontratë të koncesionit. Prandaj po i theksoj këto, për të thënë që janë spekulime të pastra”, u shpreh deputeti i PD-së Sherefedin Shehu.
Gjatë fjalës së tij edhe deputeti i PD-së Florian Mima nënvizoi se ndërkohë që të tjerët bëjnë llogje, ne bëjmë privatizime, të tjerët flasin pallavra, ne ndërtojmë rrugë. Me këtë që po them, e vetmja rrugë është që edhe kolegët e krahut tjetër të ecin në rrugën që ne po ndërtojmë, të bëhen pjesë e debatit për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve”, tha Mima.
Ndërsa deputeti tjetër i PD, Gjok Uldedaj u shpreh se “të ardhurat që do të përfitohen nga privatizimi i këtyre shoqërive do të përdoren për realizimin e investimeve të tjera publike, të parashikuar për vitin 2011”.