Benedikti XVI: Zgjidhni konfliktin me dy shtete Izrael-Palestinë
Papa Benedikti XVI ka mbërritur në Izrael gjatë ndalesës së dytë dhe të konsideruar si më delikaten të turneut të tij në Lindjen e Mesme. Gjatë pesë ditëve të ardhshme, ai do të vizitojë vende të shenjta që lidhen me jetën e Jezu Krishtit dhe do të takohet me udhëheqës izraelitë e palestinezë. Papa ngjalli indinjatë në Izrael, kur ripranoi në Kishë një peshkop që kishte mohuar ekzistencën e një pjese të Holokaustit. Disa izraelitë janë po ashtu të pakënaqur me mbështetjen që i ka dhënë Papa lumturimit të Papa Piut XII, në krye të Vatikanit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për të cilin izraelitët besojnë se nuk bëri sa duhet për të shpëtuar hebrenjtë e përndjekur. Papa u prit nga udhëheqës izraelitë në një aeroport pranë Tel-Avivit, para se të udhëtonte me helikopter drejt Jerusalemit. Papa Benedikt tha se anti-semitizmi ishte krejtësisht i papranueshëm dhe duhet luftuar kudo që shfaqet. Papa theksoi mbështetjen e Vatikanit për të drejtën e palestinezëve për të pasur atdheun e tyre, duke ofruar kështu formulën me dy shtete (Izraeli dhe Palestina). Ai tha se shpresat e shumë njerëzve vareshin nga rezultati i negociatave për paqe dhe kërkoi që të eksploroheshin të gjitha rrugët e mundshme, në kërkim të gjetjes së një zgjidhje. Sytë e gjithë botës, tha Papa me të mbërritur, janë te popujt e Lindjes së Mesme teksa ata përpiqen të zgjidhin konflikte që kanë shkaktuar kaq shumë mjerim. Një ditë më parë Papa ishte në Jordani, ku iu bëri thirrje të krishterëve dhe myslimanëve për t'u shërbyer njerëzve me "dritën e vërtetë të Zotit" duke paralajmëruar se ekstremistët në vende të tilla si Iraku kanë shfrytëzuar dallimet fetare për arsye politike. Në Jordani Papa foli nga Xhamia "Husein bin Talal", ku bëri përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me botën myslimane.