SHBA, viza studimi për studentët
SHKODER - Ambasada amerikane është e gatshme që të ndihmojë studentët shkodranë të studiojnë në SHBA, por me kushtin që pas mbarimit të studimeve të rikthehen në atdhe. Ky ka qenë mesazhi gjatë një takimi të zhvilluar paraditen e djeshme në universitetin e Shkodrës mes përfaqësuesve të ambasadës dhe studentëve të "Luigj Gurakuqit". Iniciativa ka qenë e Fakultetit Juridik për këtë takim të hapur mbi çështjen e aplikimit të vizave për në Amerikë, kryesisht për studentët. Përgjegjësja e zyrës konsullore pranë Ambasadës Amerikane në Tiran, Shanon Behaj është ndalur kryesisht në vizat për studime në SHBA, të cilat shfaqin interes dhe për të rinjtë shqiptare. "Vitin që shkoi, sipas ambasadës amerikane, rezultojnë të jenë dhënë më shumë viza studentore se asnjë vit tjetër në Shqipëri dhe kjo politikë do vijojë të ndiqet nga kjo zyrë diplomatike edhe në të ardhmen", pohoi Behaj. r.d