Vrasësit e kambistit dhe në grabitjen e "Western Union"
DURRES/ OERD ULQINI
Kambistët ishin në shënjestër të bandës së vëllezërve elbasanas Ranxha dhe durrsakut Luis Vangjeli, që ekzekutuan të shtunën Agush Hyzotin.Në sitën e policisë janë duke u kaluar të gjitha grabitjet e llojeve të ngjashme, të ndodhura në Durrës muajt e fundit, në mënyrë që të gjenden pika të përbashkëta në mekanizmin e tyre. Vrasja e babait të tre fëmijëve, për hir të 30 mijë eurove, mund të hedhë dritë edhe mbi ngjarje të mbetura mister nga e kaluara, ndaj policia po analizon me shumë kujdes çdo rast duke studiuar edhe detajet më të vogla. Sipas burimeve të brendshme nga policia e Durrësit ka mundësi që e njëjta bandë të ketë kryer edhe grabitjen e bujshme të 21 janarit 2009 në autostradën Durrës-Tiranë, kur shtetasit Vladimir Dh., dhe gruas së tij iu grabitën 8 milionë lekë. Ata ishin pronarë të një pike "Western Union" në Durrës dhe ranë pre e një vjedhjeje me dhunë, të ndodhur në fshatin Maminas gati 4 muaj më parë. Në dëshminë e tyre, të grabiturit thanë se autorët ishin tre persona me moshë të re. Sipas policisë faktet përputhen thuajse plotësisht. Në këtë pikë duket se kanë ndihmuar edhe përshkrimet e viktimave të grabitjes së janarit, të depozituara në hetuesi, të cilat kanë shumë ngjashmëri me pjesëtarët e bandës që i mori jetën Hyzotit. Ndonëse asnjë prej të arrestuarve për vrasjen e kambistit Agush Hyzoti nuk kishte pasur precedentë penalë, policia e Durrësit ka dyshime se banda ka kryer grabitje valute në të shkuarën, duke arritur t'i shmanget drejtësisë, falë teknikave të maskimit me paruke dhe doreza. Hetuesit kanë bindjen se plani për grabitje formulohej me kujdes, duke studiuar çdo lëvizje të objektivit të vënë në shënjestër. "Banda hynte në aksion vetëm, kur në valle ishin shuma të majme parash. Për këtë ata siguroheshin mirë më parë", tha për "Panorama" një burim policor nga Durrësi. Nga ana tjetër hetuesit nuk kanë mundur dot të gjejnë paratë e siguruara nga grabitja. Luis Vangjeli dhe njëri nga vëllezërit elbasanas Ranxha kanë pranuar autorësinë, por nuk kanë hapur gojë për të treguar se ku janë fshehur paratë. Policia i ka përqendruar kërkimet e shumta në Durrës, Shkozet dhe Elbasan, ku mendohet se dikujt mund t'i jetë dorëzuar valuta e grabitur. Policia ka zbardhur faktin se durrsaku Vangjeli dhe vëllezërit Ranxha kishin një miqësi të vjetër familjare, por hetuesit nuk janë akoma në gjendje të vërtetojnë se kush ishte ideatori i grabitjes së përgjakshme në lagjen 11 të qytetit bregdetar.