E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e deputetit, policia shoqëron shtatë komshinjtë

 

Trazhgim Sokolaj

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë morën dje në orët e mbrë-mjes një urdhër për shoqërimin në polici të shtatë komshinjve të deputetit të vrarë Fatmir Xhindi. Efektivat e policisë mësohet se kanë shoqëruar në policinë e Fierit shtatë persona, banorë të Roskovecit, të gjithë të njohur me deputetin 49-vjeçar që u vra në një atentat të shtunën e javës së kaluar, më 1 maj 2009. Forcat e policisë kanë mbërritur në banesat e dëshmitarëve dhe u kanë kërkuar të shkojnë në Drejtorinë e Policisë së Fierit, për të dhënë deklarimet e tyre. Mësohet se asnjë nga të shoqëruarit nuk ka shfaqur kundërshtime gjatë veprimeve të kryera prej policisë, deri në paraqitjen e dëshmitarëve në Drejtorinë e Policisë. Sipas burimeve zyrtare nga grupi i hetimit, shtatë personat që janë pyetur mbrëmë në lidhje me ngjarjen, janë të vetmit të shoqëruar gjatë dy ditëve të fundit. Prej mëse 48 orësh, grupi i hetimit kishte ndaluar shoqërimin e dëshmitarëve që pyeteshin për vrasjen e deputetit, pasi ishte përqendruar në verifikimet e dokumenteve lidhur me konfliktet e mundshme të pronësisë. Deri rreth orëve të mesnatës së djeshme, grupi i hetimit ka marrë në pyetje me radhë shtatë personat e shoqëruar. Hetuesit nuk përjashtojnë dyshimet konkrete për disa nga këta banorë të zonës, megjithëse konfirmohet se ata janë pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, komshinjtë e deputetit janë pyetur për marrëdhëniet që kanë pasur me Fatmir Xhindin, për ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje që i ndjeri ka pasur në zonë, si dhe nëse kanë parë skenën e vrasjes natën kur ndodhi krimi. Prej më tepër se një jave, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit po zhvillojnë hetime në lidhje me vrasjen e deputetit. Janë kryer qindra veprime procedurale ndërsa janë marrë në pyetje mëse 150 persona. Dyshimet e hetuesve lidhen me banorë të zonës së Roskovecit dhe fshatit Kurjan. Prokuroria pohon se pista e konflikteve të mundshme për pronat është versioni më i fortë i bazuar në prova për shkakun e vrasjes.

Nishani
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka deklaruar se vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi do të zbardhet shumë shpejt. "Policia e Shtetit dhe sektori i krimit të organizuar po punojnë për vrasjen e deputetit Xhindi dhe qe nga dita e vrasjes hetimet kanë përparuar në mënyrë esenciale. Është një ngjarje që do të zbardhet shumë shpejt", deklaroi Nishani. Në fillim të seancës, deputetët mbajtën një minutë heshtje për deputetin Xhindi. Në vendin ai ku ulej kishin vendosur dy buqeta me lule.

LESKAJ
PS kërkoi në Kuvend zbardhjen e vrasjes të deputetit Xhindi. "Ngjarja është shumë e rëndë. Është vrarë një politikan i opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ne nuk kemi dashur ta instrumentalizojmë këtë çështje, po ky akt i rëndë, kriminal, nuk mund të mbetet në heshtje e as mund të trajtohet me motive banale nëpër gazeta", tha Leskaj. Ne presim një përgjigje serioze që deri sot nuk e kemi parë, familja pret një përgjigje serioze, zgjedhësit e tij dhe të gjithë shqiptarët presin një përgjigje serioze", tha Leskaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›