Serbët e Mitrovicës ndalin protestat, të Gjilanit përleshen me policinë
Serbët në veri të Kosovës, përfaqësues të këshillit protestues, deklaruan se kanë arritur një marrëveshje me autoritetet ndërkombëtare, që krahas shqiptarëve, edhe ata të fillojnë ndërtimin e shtëpive të serbëve në lagjen "Kroi i Vitakut". Përfaqësuesit e serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës thonë se kanë hequr dorë nga protestat kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut, të cilat nisën të hënën e një jave më parë. Sipas serbëve, ndërprerja e protestës erdhi si rezultat i marrëveshjes që kanë arritur me përfaqësuesit ndërkombëtarë, që edhe serbët të fillojnë ndërtimin e shtëpive të tyre në këtë zonë. Fillimisht serbët kishin kërkuar që ndërtimi i shtëpive në këtë lagje të shkojë sipas orarit 7 ditë pune për shqiptarët dhe po aq për serbët. Por, pas bisedimeve të sotme, njëri nga përfaqësuesit serb nga kjo lagje, Nebojsha Miliç, tha se komuniteti ndërkombëtar ka marrë përgjegjësinë që punimet të shkojnë paralelisht, pasi që për sigurinë do të përkujdeset EULEX-i dhe KFOR-i. "Ata kanë premtuar garantimin e sigurisë. Ne patëm kërkuar ndarjen e kohës së punimeve, që një javë të punojnë shqiptarët dhe një javë serbët. Por, ndërkombëtarët kanë marrë përgjegjësinë mbi vete dhe tash pritet të fillojnë punimet edhe të pesë shtëpive të serbëve", tha Miliç. Ndërsa në Mitrovicë është zgjidhur konflikti, në rajonin e Gjilanit, mbi 30 policë kosovarë janë lënduar pas përleshjeve me protestuesit serbë, të cilët kundërshtonin mbylljen e rrjetit elektrik, për shkak të mos-pagesës së rrymës. Pesë qytetarë serbë të Kosovës janë arrestuar nga Policia pas protestës së mbrëmshme në komunën e Kamenicës, në Kosovën Lindore. Të pakënaqur me ndërprerjen e energjisë elektrike, qindra qytetarë serbë kanë protestuar duke bllokuar magjistralen Gjilan - Bujanoc. Protestuesit hodhën gurë, shishe e mjete të tjera të forta kundër pjesëtarëve të policisë ndërsa ata po bënin përpjekje të zhbllokojnë rrugën. Zëdhënësi rajonal i policisë, Ismet Hashani, tha se gjendja tani është më e qetë. Gjatë protestave të fundit të serbëve, si në Mitrovicë, ashtu edhe rrethinë të Gjilanit, policia është detyruar të përdorë dhe gazin lotsjellës për t'i shpërndarë ata. Serbët kanë paralajmëruar protesta të tjera.