Dule e Bollano paditen për shpifje në gjykatë
GJIROKASTER - Kryebashkiaku i Himarës dhe kreu i PBDNJ-së paditen në gjykatë për shpifje nga përfaqësuesi i minoritetit grek, Panajot Barka. Ish-deputeti i OMONIA-s në vitet e para të '90-ës, Barka ka kërkuar që Bollano dhe Dule të japin deklarimet e tyre para trupit gjykues për çfarë kanë thënë në mars të këtij viti ndaj tij. Në seancën e parë, gjyqtari i çështjes Arqile Basho pasi ka lexuar aktpadinë për shpifje në ngarkim të PBDNJ, OMONIA-s dhe gazetës në gjuhën greke "Zëri i Omonias", ka kërkuar nga paditësi nëse donte që kjo çështje të mbyllej. Pasi Barka nuk ka rënë dakord, duke kërkuar dhe thirrjen në gjyq të dy personave të akuzuar direkt ndaj tij. Zanafilla e kësaj çështjeje që përfundoi në dyert e gjyqësorit buron nga 25 marsi i këtij viti. Në faqet e gazetës në gjuhën greke "Zëri i Omonias", Barka, një prej publicistëve më të njohur nga radhët e minoritetit etnik grek në jug të vendit, korrespondent i televizionit publik grek dhe përgjegjës i departamentit të Gjuhës, Letërsisë dhe Qytetërimit Grek në universitetin "Eqrem Çabej", është akuzuar si tradhtar i interesave greke në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por përfaqësuesit e PBDNJ-së dhe OMONIA-s kanë anatemuar dhe hedhur dyshime të qarta për mënyrën se si e fitoi Barka postin që aktualisht ka në universitetin e Gjirokastrës në krye të departamentit të gjuhës greke. Akuzat publike në drejtim të Barkës nga ana e krerëve politikë të minoritetit etnik grek në Shqipëri janë bërë në Greqi gjatë një konference shtypi duke mos kursyer edhe për diversion të Barkës ndaj interesave greke në Shqipëri kundër OMONIA-s në veçanti për çështjen e varrezave të ushtarëve grekë, për kundërshtinë që sipas krerëve të PBDNJ Barka ka me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Shqiptare Anastasios Janullatos etj. Në këtë dalje publike bëhet e ditur, se të akuzuarit nga Barka kanë kërkuar nga rrjeti radioteleviziv publik grek ERT, që të shikojë qëndrimin e korrespondentit të tyre në Shqipëri, pasi politika e tij është kundër interesave helene. Kaq ka mjaftuar që Panajot Barka të formulojë akuzën për shpifje në gjyqësorin e Gjirokastrës në ngarkim të drejtuesve më të lartë të PBDNJ. p.n